Trump propozon tarifa të reja ndaj 14 partnerëve tregtarë, përfshirë Kinën dhe Bashkimin Europian

25/11/2026 16:12

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka propozuar vendosjen e tarifave të reja ndaj 14 partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara, mes tyre Kina dhe Bashkimi Europian. Masat e propozuara mund të hyjnë në fuqi që në janar të vitit të ardhshëm, sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së.

Për Kinën, administrata amerikane propozon një tarifë shtesë prej 20% mbi produktet e importuara, duke e çuar barrën totale tarifore në rreth 40%.

Përveç Kinës dhe Bashkimit Europian, lista përfshin Bangladeshin, Kamboxhian, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë, Singaporin, Zvicrën, Tajvanin, Tajlandën dhe Vietnamin.

Masat lidhen me hetimin tetë mujor të zhvilluar nga USTR-ja, në bazë të Seksionit 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974. Ky mekanizëm i jep administratës amerikane mundësinë të ndërmarrë masa tregtare ndaj vendeve që, sipas hetimeve të saj, zbatojnë praktika të padrejta që dëmtojnë tregtinë amerikane.

Sipas autoriteteve amerikane, vendet e përfshira në hetim kontribuojnë në krijimin e një kapaciteti të tepërt industrial, duke nxitur prodhimin përtej kërkesës së tregut përmes subvencioneve, politikave industriale dhe mbështetjes shtetërore për prodhuesit vendas.

Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se këto vende, sipas përfundimeve të Uashingtonit, krijojnë ose mbështesin kapacitete të tepërta prodhuese përmes praktikave që konsiderohen të paarsyeshme dhe që rëndojnë ose kufizojnë tregtinë amerikane.

Kina do të jetë vendi më i prekur nga propozimi, me një tarifë shtesë prej 20% për produktet e saj. Kjo masë do t’u shtohet disa tarifave të vendosura gjatë mandatit të parë të Trumpit, të cilat arrijnë në rreth 25%, duke e çuar barrën totale në disa kategori mallrash në mbi 40%.

Megjithatë, tarifat e reja nuk do të aplikohen automatikisht mbi të gjitha detyrimet ekzistuese. Administrata amerikane ka sqaruar se ato do të respektojnë kufijtë e përcaktuar në marrëveshjet tregtare të negociuara me partnerët. Për Bashkimin Europian, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, kufiri i rënë dakord është 15%, ndërsa për Malajzinë është 19%.

Rreth 30 miliardë dollarë importe kineze, që janë në shqyrtim për ulje tarifash përmes një procesi dypalësh, do të përjashtohen nga masat e propozuara.

Tarifat nuk do të zbatohen menjëherë. Propozimi do t’i nënshtrohet një procesi konsultimi publik dhe dëgjese, përpara se të merret vendimi përfundimtar. Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së ka planifikuar një seancë dëgjimore më 25 janar. Sipas një zyrtari amerikan, procedurat mund ta shtyjnë zbatimin e tarifave deri në janar 2027.

Ndërkohë, Meksika dhe Norvegjia nuk janë përfshirë në listën aktuale të vendeve që do të përballen me tarifat e reja, pasi hetimet ndaj tyre vijojnë.

Nisma e re vjen disa muaj pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi në shkurt një pjesë të rëndësishme të tarifave të gjera të vendosura nga Trump, të njohura si tarifat e “Ditës së Çlirimit” (Liberation Day).

Gjykata arriti në përfundimin se administrata kishte tejkaluar kompetencat e saj duke përdorur një ligj për emergjencat kombëtare si bazë për vendosjen e këtyre tarifave.

Këtë herë, Shtëpia e Bardhë po mbështetet te Seksioni 301 i Ligjit të Tregtisë të vitit 1974, i cili parashikon një procedurë hetimore për të identifikuar dhe kundërshtuar praktikat tregtare të konsideruara të padrejta.

Përmes këtij mekanizmi, administrata Trump synon të rikthejë një pjesë të politikës së saj tarifore, por mbi një bazë tjetër ligjore.

Pekini ka kundërshtuar vazhdimisht pretendimet amerikane për kapacitete të tepërta industriale, duke i konsideruar ato si një justifikim për masa politike dhe tregtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i cilësoi pretendimet amerikane si një çështje të pavërtetë.

“E ashtuquajtura ‘mbikapacitet’ është një pretendim i rremë dhe Kina kundërshton përdorimin e tij si justifikim për manipulim politik.”

Ai i bëri thirrje Uashingtonit që të ruajë marrëdhënie të qëndrueshme tregtare me Pekinin.

Propozimi i ri vjen në një moment kur politika tarifore e Trumpit mbetet një nga çështjet kryesore të debatit ekonomik në SHBA, ndërsa kostot e importeve dhe ndikimi i tyre te konsumatorët amerikanë vazhdojnë të jenë në qendër të diskutimit publik.

Top Channel