Trump paralajmëron tarifa të reja ndaj Kinës dhe BE-së, deri në 20% më shumë për produktet kineze
Policia Met në Londër ka goditur një grup të dyshuar kriminal të lidhur me shpërndarjen e metamfetaminës kristalore, një drogë sintetike me rrezikshmëri të lartë, e cila po përpiqet të zgjerojë praninë e saj në Britaninë e Madhe.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së martës, në dy banesa në veri të Londrës, të cilat dyshohet se lidheshin me një grup kriminal të organizuar me bazë familjare, me origjinë bullgare.
Sipas raportimit të Daily Mail, në njërën prej banesave u arrestuan tre shtetas bullgarë, dy burra dhe një grua, nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike të kategorisë A me qëllim shpërndarjen.

Në banesën e dytë u arrestua një tjetër burrë, i dyshuar për posedim të lëndëve narkotike të kategorisë A me qëllim shpërndarjen, posedim të armëve të ftohta dhe municioneve luftarake.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi lëndë të dyshuara narkotike, para cash, dhjetëra paketa cigaresh dhe dokumente. Në njërën prej banesave u gjetën gjithashtu një armë elektroshoku e maskuar si elektrik dore, një shpatë dhe një enë me nitazen, një opioid sintetik që mund të jetë qindra herë më i fuqishëm se morfina.

Megjithatë, deri në momentin e raportimit, ndaj të arrestuarve nuk ishte ngritur ende asnjë akuzë zyrtare.
Metamfetamina kristalore, e njohur edhe si “Crystal Meth”, është një drogë sintetike që ndikon fuqishëm në sistemin nervor dhe ka shkaktuar mijëra viktima në vende të ndryshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet britanike kanë ngritur shqetësimin se çmimi i kësaj droge në tregun e paligjshëm ka rënë ndjeshëm, duke rritur rrezikun e përhapjes së saj në komunitete më të gjera.

“Pavarësisht nëse importoni, shpërndani apo prodhoni drogë, ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju mbajmë përgjegjës”, deklaroi inspektori, Jake Bhanji.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare në Britani, numri i veprave penale të lidhura me metamfetaminën kristalore në Angli dhe Uells është dyfishuar gjatë periudhës 2020-2021 deri në 2025-2026.
Top Channel