13-vjeçarja nga Shkodra, e cila u gjet në kryeqytet e abuzuar seksualisht, pas gati 2 javësh pasi familja kishte denoncuar largimin e saj nga banesa, është rasti i 19-të i kësaj natyre i evidentuar nga Policia e Shtetit gjatë 11 muajve të këtij viti.
Sipas statistikave të policisë, për këtë periudhë janë regjistruar 19 raste të marrëdhënieve seksuale me të mitura, me 20 autorë të identifikuar, 15 prej të cilëve janë arrestuar ose ndaluar, dy ndiqen në gjendje të lirë dhe tre janë shpallur në kërkim.
Hetimet për këto raste synojnë të dokumentojnë jo vetëm abuzimin seksual, por edhe mënyrën se si të miturit përfshihen në këto situata, kontaktet me personat e dyshuar dhe nëse marrëdhëniet janë shoqëruar me përfitime financiare. Në disa prej episodeve, dyshimet e hetuesve janë se autorët i kanë joshur të miturat në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
LEXO EDHE: Erion Veliaj njofton vendimin e ri: Nga viti 2027 çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas!
Një tjetër element që del nga hetimet është shtrirja gjeografike e këtyre rasteve. Lëvizjet nga një qytet në tjetrin dhe kontaktet me persona të ndryshëm e bëjnë më kompleks dokumentimin e plotë të ngjarjeve. Për këtë arsye, kamerat e sigurisë, verifikimi i itinerareve dhe dëshmitë e të miturve janë ndër provat kryesore për identifikimin e personave të dyshuar.
Rasti i 13-vjeçares nga Shkodra është një prej tyre. Pas denoncimit të nënës për largimin e saj nga banesa, policia nisi kërkimet në bashkëpunim me disa drejtori vendore dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës Amerikane. E mitura u gjet pas disa ditësh në Tiranë. Sipas hetimeve, ajo kishte udhëtuar në disa qytete të vendit, ku dyshohet se ishte abuzuar seksualisht nga persona të ndryshëm. Në kuadër të këtij hetimi janë ndaluar 46-vjeçari Adrian Qerimi dhe 49-vjeçari Elton Vrenozi, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar.