Qeveria amerikane ka njoftuar një paketë të re tarifash doganore për produktet e importuara nga disa prej partnerëve të saj kryesorë tregtarë, përfshirë Kinën, Bashkimin Evropian dhe Meksikën. Sipas autoriteteve amerikane, këto masa lidhen me subvencionet që vendet përkatëse u japin industrive të tyre, të cilat konsiderohen si një faktor që cenon konkurrencën në tregun ndërkombëtar.
Tarifat e propozuara mund të arrijnë deri në 20% për mallrat me origjinë nga Kina. Megjithatë, masat nuk do të hyjnë në fuqi menjëherë. Është parashikuar një periudhë njëmujore konsultimi, gjatë së cilës bizneset dhe publiku do të mund të paraqesin komentet dhe kundërshtimet e tyre me shkrim.
Nisma vjen në vijim të tarifave të shpallura në fund të korrikut, të cilat prekën rreth 60 vende, ndërsa është rezultat i një hetimi të nisur në muajin mars nga Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), e drejtuar nga Jamieson Greer.
Përveç Kinës, Bashkimit Evropian dhe Meksikës, në listën e vendeve të prekura përfshihen edhe shumica e shteteve të Azisë Juglindore, Koreja e Jugut, Zvicra dhe Bangladeshi.
Sipas USTR-së, subvencionet shtetërore në rreth 15 vende kanë nxitur mbiprodhimin industrial, duke krijuar, sipas palës amerikane, kushte të pafavorshme konkurruese për kompanitë vendase.
Propozimi parashikon që tarifat e reja të mos tejkalojnë kufijtë e përcaktuar në marrëveshjet tregtare me partnerët përkatës. Në këtë mënyrë, ndikimi shtesë do të jetë më i kufizuar krahasuar me tarifat që janë aktualisht në fuqi.
Në rastin e Bashkimit Evropian dhe Japonisë, tarifat për produktet e importuara parashikohet të rriten nga 10% në 15%, pas hyrjes në fuqi të masave të reja.


