Shpërndanin drogën vdekjeprurëse në Londër, goditet banda bullgare, katër persona të arrestuar
Vladimir Putin paralajmëron sulme hakmarrëse ndaj Ukrainës, duke e akuzuar Kievin se po vazhdon goditjen e rafinerive ruse të naftës, pavarësisht kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e tyre.
Sulmet ukrainase ishin reduktuar pas njoftimit të Trumpit në mesin e tetorit për një armëpushim energjetik, por janë intensifikuar sërish që prej fundit të muajit të kaluar.
Autoritetet e Kievit po vazhdojnë të godasin rafineritë tona, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan. Në këto kushte, masat shpaguese nga ana jonë janë të pashmangshme.
Presidenti rus kërkoi gjithashtu masa shtesë sigurie për objektet energjetike. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i ministrit të Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili deklaroi se Putin mund të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse duke i dhënë fund konfliktit.
“Nëse Putinit nuk i pëlqejnë sulmet ukrainase ndaj rafinerive të tij, ai mund të urdhërojë përfundimin e luftës. Nëse nuk dëshiron që anijet e tij ushtarake të goditen, mund t’i japë fund luftës. Boll me ankesa. Jepini fund luftës”, shkroi Sybiha në platformën X.
Sipas dy burimeve të industrisë, të cituara nga Reuters, sulmet ukrainase me dronë kanë reduktuar me 45% vëllimin e përpunimit të naftës bruto në rafineritë ruse që prej fundit të tetorit. Disa rajone të Rusisë kanë vendosur kufizime në shitjen e benzinës dhe naftës, megjithëse Putin pretendon se çmimet e benzinës janë stabilizuar pas pikës kulmore të shënuar në tetor.
Ndërkohë, një tjetër sfidë për sektorin energjetik rus vjen nga Bashkimi Europian, i cili ka vendosur të ndërpresë blerjen e gazit natyror të lëngshëm rus të transportuar në rrugë detare, duke filluar nga 1 janari. Eksportet ruse të gazit të lëngshëm drejt Europës ishin rritur me 6,3% në dhjetë muajt e parë të vitit, duke arritur në 11,8 milionë tonë.
Top Channel