Më 26 nëntor, autobusët në të gjitha qytetet e Shqipërisë do të dalin në qarkullim në orën 08:00. Zakonisht, shërbimi nis në 05:30, por këtë herë do të pezullohet deri në orën 08:00.
Vendimin e kanë bërë të ditur Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban. Njoftimi vjen përpara seancës plenare të Kuvendit, ku më 26 nëntor 2026 pritet të votohet Paketa Fiskale dhe Projektbuxheti i Shtetit për vitin 2027.
Të lidhura
None found
Operatorët thonë se kundërshtojnë masat që mund të rrisin çmimin e biletës dhe të kalojnë te qytetarët kostot shtesë fiskale. Në deklaratën e tyre, ata kërkojnë që të ruhet çmimi aktual dhe të sigurohet vazhdimësia e transportit publik.
Sipas shoqatave, rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të sjellë shtrenjtimin e biletave të transportit publik.
Operatorët theksojnë se ky shërbim është thelbësor për udhëtimet e përditshme të qytetarëve drejt punës, shkollave, institucioneve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera të rëndësishme. Ata kërkojnë mirëkuptim për ndërprerjen e përkohshme dhe u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre.
Deklarata e plotë:
Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku pritet të votohet Paketa Fiskale dhe Projektbuxheti i Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban rikonfirmojnë kërkesat për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe sigurimin e një shërbimi publik të përballueshëm.
Propozimi për ta çuar normën standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të sjellë rritjen e çmimit të biletës së transportit publik për qytetarët.
Për këtë arsye, njoftojmë se të enjten, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë në orën 08:00. Deri në atë moment, autobusët nuk do të qarkullojnë.
Synimi ynë është të parandalojmë rritjen e çmimit të biletës dhe kalimin e barrës fiskale shtesë te qytetarët. Transporti publik nevojitet çdo ditë për të shkuar në punë, arsim, shërbime shëndetësore dhe shërbime të tjera thelbësore.
Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e shkaktuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin në konsideratë kërkesat tona, në mënyrë që të ruhet çmimi i biletës dhe të vijojë ofrimi i shërbimit publik.







