Meta kërkon rikthimin te Kushtetuta e para vitit 2008: Lista 100% të hapura, qeveri teknike dhe President të zgjedhur nga populli
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka miratuar me 6 vota pro projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes evropiane për heqjen e vizave për refugjatët, të nënshkruar në Strasburg më 20 prill 1959.
Shqyrtimi i projektligjit është shoqëruar me diskutime mbi përputhshmërinë e marrëveshjes me legjislacionin aktual të Bashkimit Evropian, kostot financiare për shtetin shqiptar në rast të një fluksi të lartë refugjatësh, si dhe mundësinë e përfitimit të shtetësisë shqiptare nga kjo kategori.
Deputeti Edmond Haxhinasto kërkoi të dinte nëse ratifikimi i marrëveshjes ishte konsultuar me Bashkimin Evropian dhe çfarë ndodh në rastet kur refugjatët tejkalojnë afatin tremujor të qëndrimit në Shqipëri.
“Ju thoni që nuk ka kosto, por nëse refugjatët qëndrojnë më shumë se tre muaj dhe nuk duan të largohen, çfarë ndodh? A ka kosto deportimi i tyre?”, pyeti Haxhinasto.
Deputeti Ervin Hoxha evidentoi rrezikun e shfrytëzimit të hapësirave ligjore për zgjatjen e lejes së qëndrimit dhe përfitimin e pasaportës, duke përmendur edhe rastet e martesave të rreme. Ai theksoi se ratifikimi i marrëveshjes është një kërkesë e Këshillit të Evropës dhe se Shqipëria ndodhet përballë një realiteti që prek të gjithë Evropën.
Drejtoresha Ledjana Dalipaj sqaroi se marrëveshja nuk vjen si rezultat i procesit të integrimit dhe nuk cenon dispozitat e konventave në fuqi. Sipas saj, kostot financiare lidhen vetëm me transferimin e personave drejt vendeve nga të cilat kanë ardhur.
Haxhinasto këmbënguli për të marrë një përgjigje konkrete nëse shteti shqiptar ka parashikuar fonde për përballimin e një fluksi të mundshëm refugjatësh.
“Nëse vijnë 30 mijë refugjatë, çfarë ndodh me kostot e trajtimit të tyre ose të kthimit? A janë të buxhetuara? A ka një fond përkatës?”, pyeti deputeti.
Zëvendësministrja Ruseti shprehu gatishmërinë për t’iu përgjigjur me shkrim pyetjeve të ngritura nga Haxhinasto.
Kryetari i komisionit, Igli Hasani, kërkoi që përgjigjet të jepen brenda kësaj jave, duke theksuar se në rast të një numri të lartë refugjatësh do të aktivizohen mekanizma të tjerë.
“Në momentin që do të ketë një numër të lartë refugjatësh, do të vihen në funksionim mekanizma krejt të tjerë”, u shpreh Hasani.
Debati në Komision:
Edmond Haxhinasto: Unë, në fakt, ndaj të njëjtin shqetësim me kryetarin e komisionit, sepse kjo është një marrëveshje e hershme, e vitit 1959, ndërkohë që zhvillimet në Bashkimin Evropian për lëvizjen janë rregulluar në mënyrë të vazhdueshme dhe janë vendosur kritere të reja. A është konsultuar kjo marrëveshje me BE-në dhe çfarë qëndrimi kanë mbajtur? Cilit përcaktim i jeni referuar sa i takon statusit të refugjatit?
Ju thoni që nuk ka kosto, por nëse refugjatët qëndrojnë më shumë se tre muaj dhe nuk duan të largohen, çfarë ndodh? A ka kosto deportimi i tyre?
Kjo kategori a ka të drejtë të aplikojë për shtetësi nëse merr statusin e refugjatit, duke pasur parasysh edhe ndryshimet që kemi bërë në ligjin për shtetësinë, ku kemi hequr nevojën për rezidencë dhe çështjen e shtetësisë ia kemi lënë diskrecionit të një agjencie që është në varësi të ministrisë suaj?
Ervin Hoxha: Jemi në një projektligj që ratifikon një marrëveshje. Në të gjithë BE-në ekzistojnë rreziqet. Kudo ku ne ndodhemi në këta kufij, shumë refugjatë, nëpërmjet shtigjeve ligjore, shfrytëzojnë mundësi për të zgjatur lejen e qëndrimit, duke aplikuar për një pasaportë nëpërmjet martesave të rreme. Mendoj që edhe ne, meqë është kërkesë e Këshillit të Evropës, është një përmbushje. Edhe Shqipëria, me këtë ratifikim, ndodhet përballë një realiteti nga i cili është prekur e gjithë Evropa.
Drejtoresha Ledjana Dalipaj: Kjo marrëveshje nuk vjen si rezultat i procesit të integrimit dhe nuk cenon asnjë dispozitë të konventave në fuqi, sipas nenit 6.
Lidhur me statusin e refugjatit, në bazë të ligjit nr. 10/2021 “Për azilin”, personave të cilëve u njihet ky status u garantohen të drejta dhe mbrojtje ligjore në Shqipëri, së bashku me dokumentacionin përkatës. Nuk ka kosto financiare për Ministrinë e Brendshme.
Edmond Haxhinasto: Nëse dikush konstatohet me dokumentacion të parregullt, si bëhet dërgimi i tyre? A ka kosto financiare?
Drejtoresha Ledjana Dalipaj: Vetëm kosto operacionale për transferimin e personave drejt vendeve nga të cilat do të vijnë. Vetëm kjo.
Edmond Haxhinasto: Tani e kuptoj që, kur pyesim nëse është konsultuar me BE-në ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, nuk mjafton të shkruajmë se do ta respektojmë. Pyetja është: a keni pasur një shkëmbim me BE-në dhe a janë dakord ata për ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë? Përgjigjja është po ose jo?
Ju diskutoni për parime dhe keni të drejtë. Thoni se nuk ka kosto tjetër dhe se do të jepen vetëm dokumente të printuara, por unë marr një situatë konkrete: nëse vijnë 30 mijë refugjatë, çfarë ndodh me kostot e trajtimit të tyre ose të kthimit? A janë të buxhetuara? A ka një fond përkatës?
Si është përcaktuar përkufizimi i refugjatit? Nëse qëndron më shumë se tre muaj, çfarë ndodh? Zgjatet statusi apo deportohet? Nëse nuk mund t’u përgjigjeni tani, nuk ka asnjë problem. Mund të na i dërgoni përgjigjet me shkrim në komision.
Kur aplikon për nënshtetësi, çfarë ndodh? A qëndron në territor? Ligji duhet të ketë mundësinë t’i parashikojë edhe raste të tilla.
Zëvendësministrja Ruseti: Të gjitha pyetjet që keni mund të marrin përgjigje konkrete. Nëse kryetari na e lejon, mund t’ju përgjigjemi edhe me shkrim.
Igli Hasani: Brenda kësaj jave, zoti Haxhinasto ka të drejtë të marrë përgjigje për të gjithë mekanizmin dhe për të gjitha çështjet që ngre. Prandaj e nisëm këtë diskutim. Në momentin që do të ketë një numër të lartë refugjatësh, do të vihen në funksionim mekanizma krejt të tjerë.
Top Channel