“Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd Kosovë, midis reve të tua të rënda, gjëmimave të tua…” Kështu përshkruhet lidhja e Ismail Kadaresë me Kosovën, një lidhje e ndjerë nga larg dhe e reflektuar në vargje, romane e letra. Vajza e tij, Besiana Kadare, kujtoi se në shtator 1991, nga Parisi, Kadare i dërgoi letra Papës dhe tre presidentëve, ku shprehte shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës dhe paralajmëronte për një masakër të mundshme, duke shkruar se “gjysma e kombit shqiptar ka shpëtuar nga diktatura, ndërsa gjysma tjetër lëngon në një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota”.
Një nga botimet qendrore të tij për Kosovën është ditari “Ra ky mort e u pamë”, të cilin shkrimtari e përdori për të dokumentuar dramën e luftës së Kosovës. Dorëshkrimi origjinal i veprës u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Shtëpinë Studio Kadare, ku publiku mundi të shihte për herë të parë dorëshkrime, korrespondencë dhe botime të rralla që dëshmojnë lidhjen e veçantë të Kadaresë me Kosovën.
Drejtoresha e Shtëpisë Studio Kadare, Anisa Ymeri, deklaroi se Kadareja dhe Kosova nuk kanë pasur asnjëherë kufij, duke theksuar rolin e bibliotekës personale të shkrimtarit, e ruajtur në fondin e Shtëpisë Studio Kadare. Majlinda Toçi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, vuri në dukje se për Kadaresë Kosova nuk ishte thjesht një hapësirë gjeografike, por pjesë e pandashme e botës së tij shqiptare, e shqetësimit intelektual, ndërgjegjes historike dhe përgjegjësisë si shkrimtar.
Edhe zv.ministrja e MTK-së në Kosovë, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi kontributin e Kadaresë, duke thënë se ai “përdori autoritetin e tij për të mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe për t’i bërë të dëgjueshme padrejtësitë përtej hapësirës shqiptare”. Botuesi Bujar Hudhri riktheu kujtime nga vizita e parë e shkrimtarit në Prishtinë dhe rikthimi pas luftës, kur Kadare përjetoi dashurinë e kosovarëve për Shqipërinë dhe pritjen e ngrohtë gjatë promovimit të librit “Ra ky mort e u pamë”.
Ekspozita mbylli aktivitetet për 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, duke theksuar lidhjen e tij të veçantë me Kosovën dhe rolin e tij në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen shqiptare.
