Çfarë di për të shkuarën diktatoriale një nxënës që ulet në bankat e shkollës së sistemit parauniversitar?
“Nëse ne heshtim ai do të dëgjojë atë që ka zërin më të lartë, nostalgjinë, gjysmë të vërtetat, dezinformimin…”, tha Gentiana Sula.
Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri diskutuan nevojën për përditësimin e kurrikulave, pasurimin e teksteve shkollore dhe formimin profesional i mësuesve. Drejtoresha e Autoritetit evidentoi përgjegjësinë e institucioneve për ta bërë dokumentacionin historik të aksesueshëm për brezat e rinj.
“Shqipëria njeh një luftë kundër të vërtetës që ka ardhur gjatë diktaturës. Sepse diktatura nuk burgosi vetëm njerëzit, por edhe të vërtetën, i rishkroi tekstet, fshiu emrat, e ktheu kujtesën në faj. Tani, duam që shkolla të mos jetë vendi ku fabrikohen të vërtetat”.
Ndërsa kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri theksoi nevojën që nxënësit të kenë informacion të besueshëm mbi diktaturën komuniste, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe pasojat e tyre për individët dhe shoqërinë.
“Edukimi historik duhet të jetë i saktë dhe gjithëpërfshirës. Nxënësit duhet të ketë informacion të besueshëm. Po aq e rëndësishme është që mësuesit të mbështeten në histori dhe mjete metodologjike të nevojshme për orën mësimore”, deklaroi Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit folën për përfshirjen e bashkëpunimit me Autoritetin e Dosjeve, si dhe të datave të kujtesës historike, në udhëzimet e vitit shkollor.
“Të punojmë me nxënësit që të njohin sa më shumë, sa më afër të vërtetën historike për të mos e harruar dhe për të mos e përsëritur”, tha Shkëlqim Allkaj, Drejtor i Zhvillimit të Politikave të Arsimit Parauniversitar.
Ndër zhvillimet e propozuara për vitin 2027 është edhe moduli me zgjedhje “Aspekte të jetës gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri”, që krijon mundësi për trajtimin e historisë lokale, historive familjare dhe përvojave individuale.
Top Channel