Një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës ka vrarë një zyrtar të lartë të sigurisë së Hamasit, Mohammad Abuelouf, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Brendshme në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, dhe ekipet mjekësore.
Abuelouf ishte kolonel i Hamasit dhe drejtonte shërbimin e sigurisë së brendshme në veri të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite konfirmoi vrasjen e tij, duke e cilësuar si një figurë të rëndësishme në përpjekjet e Hamasit për të rikthyer kapacitetet dhe për të penguar operacionet izraelite.
Ky është sulmi i dytë brenda 24 orëve që ka si objektiv një zyrtar të lartë të sigurisë së Hamasit. Ngjarja vjen pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor 2025, i cili nuk ka arritur t’i japë fund përplasjeve në Gaza.
