Vendosni fjalën kyçe....

Irlandë/ Numri i grave të vrara nga burrat pothuajse dyfishohet brenda një viti


Numri i grave të vrara nga burrat në Irlandë është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa rritja ka qenë veçanërisht e fortë gjatë 12 muajve të fundit, sipas një studimi të publikuar nga organizata bamirëse “Women’s Aid”.

Pas një rënieje prej dy dekadash, numri i vdekjeve të dhunshme nisi të rritet në vitin 2021 dhe këtë vit ka arritur në 13 viktima, sipas raportit të publikuar të mërkurën.

“Duhet të na alarmojë të gjithëve. Pas viteve të rënies, numri i grave të vrara po rritet sërish”, u shpreh Sarah Benson, drejtoresha ekzekutive e organizatës.

Sipas të dhënave, shumica dërrmuese e viktimave gjatë tre dekadave të fundit janë vrarë nga burra që njihnin, ndërsa më shumë se gjysma janë vrarë nga partnerë aktualë ose ish-partnerë, përcjell The Guardian.

Gjetjet përputhen me të dhënat e OKB-së dhe Bashkimit Evropian, të cilat tregojnë se vendi më i rrezikshëm për një grua është shtëpia e saj dhe se autori më i mundshëm i vrasjes është një burrë që ajo njeh.

“Irlanda është një nga vendet më të pasura në botë dhe ne kemi ligje të mira. Megjithatë, gratë vazhdojnë të vriten nga burrat më të afërt me to. Shumica e burrave nuk zgjedhin të sillen në këtë mënyrë dhe pikërisht për këtë arsye duhet që të gjithë ta njohim këtë dhunë dhe ta denoncojmë”, tha Benson.

Që nga viti 1996, kur organizata me seli në Dublin nisi të mbledhë statistikat për femicidin, 291 gra janë vrarë nga burrat.

Të ndara në periudha pesëvjeçare, vrasjet e dhunshme arritën kulmin me 67 viktima në vitet 1996-2000, ndërsa numri më i ulët u regjistrua në periudhën 2016-2020, me 31 viktima. Gjatë viteve 2021-2025 u regjistruan 40 vdekje, një rritje prej 29% krahasuar me periudhën e mëparshme.

Trembëdhjetë gratë që kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme këtë vit janë pothuajse dyfishi i shtatë viktimave të regjistruara gjatë gjithë vitit të kaluar.

Megjithatë, Irlanda ka një normë të përgjithshme vrasjesh prej 0.66 për 100 mijë banorë, shumë më të ulët se mesatarja globale dhe evropiane. Vendi ka një popullsi prej 5.5 milionë banorësh.

Nga 235 rastet e vrasjeve të dhunshme të zgjidhura që nga viti 1996, 89% e grave janë vrarë nga një burrë që njihnin, 57% nga partneri aktual ose ish-partneri, 32% nga një i afërm mashkull ose i njohur dhe 11% nga një i panjohur. Më shumë se dy të tretat, ose 68%, janë vrarë në banesat e tyre. Pak më shumë se një e katërta e viktimave ishin gra të moshës 26-35 vjeç.

“Femicidi nga partneri intim rrallë ndodh pa shenja paralajmëruese. Ndarja, kontrolli i dhunshëm, mbytja jo fatale, kërcënimet për vrasje dhe përndjekja janë të gjitha shenja të njohura rreziku. Kur një grua na thotë se ka frikë për jetën e saj, ne e besojmë”, u shpreh Benson.

Ajo theksoi se largimi nga një partner abuziv nuk e përfundon gjithmonë dhunën. Sipas saj, rreziku rritet ndjeshëm gjatë ndarjes dhe mbetet i lartë për rreth një vit pas saj.

“Për çdo grua që humbet jetën, mijëra të tjera jetojnë në kufijtë e frikës”, tha Benson.

Raporti “Femicide Watch”, i publikuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, evidentoi gjithashtu se 25 fëmijë janë vrarë së bashku me një grua, zakonisht nënën e tyre.