Nesër pritet kaos në mëngjes, autobusët marrin vendimin drastik
Shoqatat e transportit urban dhe interurban kanë njoftuar një ndryshim të përkohshëm të orarit të shërbimit për ditën e enjte, 26 nëntor 2026. Autobusët në të gjitha qytetet e Shqipërisë do të nisin qarkullimin në orën 08:00, ndërsa deri në këtë orë shërbimi do të jetë i ndërprerë.
Normalisht, transporti publik nis funksionimin që në orën 05:30 të mëngjesit, por këtë të enjte qytetarët do të duhet të presin deri në orën 08:00 për të përdorur autobusët urbanë dhe interurbanë.
Vendimi është bërë publik nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Shkak për këtë qëndrim janë bërë kundërshtimet e operatorëve ndaj ndryshimeve të propozuara në sistemin fiskal, veçanërisht rritjes së normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Sipas shoqatave, kjo masë do të sjellë shtim të kostove për kompanitë e transportit dhe mund të përkthehet në rritje të çmimit të biletave për qytetarët.
Operatorët kërkojnë që barra shtesë fiskale të mos transferohet te pasagjerët dhe që çmimi aktual i biletës të mbetet i pandryshuar.
Në deklaratën e tyre, shoqatat theksojnë se transporti publik është një shërbim thelbësor për përditshmërinë e qytetarëve, pasi mundëson lëvizjen drejt vendeve të punës, shkollave, spitaleve dhe institucioneve të tjera.
Përmes këtij ndryshimi të përkohshëm të orarit, operatorët kërkojnë gjithashtu të tërheqin vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për pasojat që, sipas tyre, mund të sjellë paketa e re fiskale për sektorin e transportit.
Shoqatat u kanë kërkuar qytetarëve mirëkuptim për vonesën e krijuar, ndërsa i kanë bërë thirrje Kuvendit dhe institucioneve përkatëse të marrin në konsideratë kërkesat e tyre përpara miratimit të ndryshimeve fiskale.
Deklarata e plotë e shoqatave të transportit
Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të sjellë, sipas operatorëve, rritje të çmimit të biletës për qytetarët që përdorin transportin publik.
Për këtë arsye, njoftojmë se ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.
Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe kalimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik përbën një nevojë të përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.
Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe garantimit të vijimësisë së shërbimit publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



