Astronauti bëhet baba për herë të tretë, përjeton lindjen e vajzës nga hapësira
Një ngjarje e veçantë ka shënuar jetën e një familjeje kanadeze, pasi bashkëshortja e astronautit Joshua Kutryk ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të tretë, ndërsa ai ndodhet qindra kilometra larg Tokës, në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Heather Kutryk lindi një vajzë të martën, më 24 nëntor. Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Kanadeze e Hapësirës, e cila konfirmoi se nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë. Sipas agjencisë, astronauti arriti të ishte pjesë e këtij momenti të rëndësishëm përmes lidhjes nga stacioni hapësinor.
Çifti ndau edhe një deklaratë përmes Agjencisë Kanadeze të Hapësirës, duke e cilësuar ardhjen në jetë të vajzës si një bekim për familjen.
«Lindja e një fëmije është një nga momentet më domethënëse të jetës. Joshua po realizon aktualisht një ëndërr të fëmijërisë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Pavarësisht distancës që na ndan, ndihemi jashtëzakonisht të lidhur me njëri-tjetrin, ndërsa mirëpresim yllin tonë të vogël në jetën tonë», thuhet në deklaratën e çiftit.
Dy fëmijët e tjerë të familjes, Peter dhe Anna, janë përkatësisht 7 dhe 5 vjeç. Prindërit shprehën gjithashtu mirënjohjen për ekipet e NASA-s dhe Agjencisë Kanadeze të Hapësirës, për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Joshua Kutryk u nis drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor më 1 tetor, nga Florida, me kapsulën Crew Dragon të kompanisë SpaceX, si pjesë e misionit Crew-13. Në këtë udhëtim ai shoqërohet nga dy astronautë të NASA-s dhe një kozmonaut rus.

Para nisjes, në një intervistë për CBS News, astronauti kishte folur për vështirësinë e të qenit larg familjes në momentin e lindjes së fëmijës. Ai kishte pranuar se do të ishte e vështirë të mos ishte fizikisht pranë bashkëshortes, por shpresonte që kjo përvojë të kthehej në një kujtim të veçantë për familjen.
“Fizikisht, sigurisht që nuk do të jem aty. Sado e vështirë të jetë kjo, shpresoj që të jetë një përvojë shumë e veçantë dhe pasuruese në jetën tonë, të cilën do ta kujtojmë me dashuri”, ishte shprehur Kutryk.
Sipas CBS News, Kutryk është astronauti i katërt në historinë e eksplorimit hapësinor që nuk mund të jetë i pranishëm në Tokë në momentin e lindjes së fëmijës së tij. Ai është ish-pilot testues ushtarak dhe ky është fluturimi i tij i parë në hapësirë. Gjithashtu, ai është kanadezi i 17-të që ka udhëtuar në hapësirë.
Astronauti kishte theksuar se familja ka një rrjet të gjerë mbështetjeje dhe se puna në hapësirë, megjithëse ofron përvoja të jashtëzakonshme, shoqërohet edhe me vështirësi, pasi datat e nisjeve dhe angazhimet e misioneve nuk mund të parashikohen gjithmonë.
Deri më tani, nuk është përcaktuar një datë e konfirmuar për kthimin e ekuipazhit Crew-13 në Tokë.
Në një tjetër deklaratë për CBS News, Kutryk shprehu shpresën që vajza e tij ta kuptojë një ditë se vendimi për të qëndruar larg familjes ishte pjesë e një angazhimi më të madh në shërbim të publikut dhe të Kanadasë.
Ushtria amerikane shpërthen 5 tonë azid plumbi, shqetësime për përhapjen e një reje toksike në Iowa dhe Misuri (VIDEO)
Ukraina sulmon bazën kryesore ajrore ruse, dëmtohen 5 avionë
Lirohen 15 nga 30 personat e marrë peng në një supermarket në Kolumbi, autorët kërkojnë 2 milionë $
- 17:05 Shembjet në Ujman, e ngarkuara me punë e SHBA, i shkon në Ministri Fitore Pacollit, ambasada jep detajet e takimit
- 17:03 Ushtria amerikane shpërthen 5 tonë azid plumbi, shqetësime për përhapjen e një reje toksike në Iowa dhe Misuri (VIDEO)
- 16:54 Greqia paralizohet nga greva kombëtare, mijëra qytetarë në protesta për paga më të larta dhe shërbime më të mira
- 16:50 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan, ministri Hoxha takohet me Atin e Shenjtë
- 16:39 Ukraina sulmon bazën kryesore ajrore ruse, dëmtohen 5 avionë
- 16:32 Lirohen 15 nga 30 personat e marrë peng në një supermarket në Kolumbi, autorët kërkojnë 2 milionë $