Video/ Momente paniku në urën e varur në Kili, alpinisti përballet me erërat e forta dhe rrezikon të bjerë në humnerë
Një grua 34-vjeçare në Maryland të Shteteve të Bashkuara akuzohet se mashtroi për më shumë se një dekadë familjarët, miqtë dhe bashkëshortin e saj, duke pretenduar se vuante nga kanceri dhe se po i nënshtrohej trajtimeve të vazhdueshme mjekësore.
Sipas prokurorisë, Alexandra “Lexi” Thomas arriti të përfitonte rreth 200 mijë dollarë nga donacione të mbledhura për trajtimin e pretenduar të sëmundjes. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se paratë nuk u përdorën për shpenzime mjekësore, por për veshje, udhëtime dhe argëtim.
Thomas u arrestua më 19 nëntor në Maryland, nën dy akuza për vjedhje. Njëra lidhet me një shumë deri në 10 mijë dollarë, ndërsa tjetra me një shumë deri në 25 mijë dollarë. Gjatë paraqitjes së saj të parë në gjykatë, më 23 nëntor, prokurorët pretenduan se ajo kishte mbledhur afërsisht 200 mijë dollarë nga persona që besonin se po ndihmonin një grua të prekur nga kanceri.
Sipas gazetës “The Baltimore Banner”, autoritetet kanë intervistuar deri tani 22 persona që pretendohet se kanë dhënë para duke besuar në historinë e saj.
Gavin Hannan, bashkëshorti i saj, mësoi për pretendimet e Thomas lidhur me trajtimin e kancerit kur u njohën në vitin 2017. Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, Thomas i kishte treguar se ishte e vetmja e mbijetuar e një prove klinike, ku 22 pacientët e tjerë pjesëmarrës kishin humbur jetën.
Ajo pretendonte gjithashtu se, pas shërimit nga kanceri i gjakut, kishte zhvilluar limfomën jo-Hodgkin si pasojë e trajtimeve që kishte marrë. Në dokumentet gjyqësore thuhet se Thomas pretendonte se, për shkak të historisë së saj të rrallë mjekësore, ndiqej nga një ekip prej rreth 80 mjekësh, mes të cilëve edhe specialisti i njohur amerikan Anthony Fauci.
Hannan dhe Thomas u martuan në dhjetor të vitit 2019. Por më pak se një vit më vonë, gjatë pandemisë COVID-19, bashkëshorti u zhvendos për 18 muaj në shtëpinë e prindërve të tij, me arsyetimin se dëshironte të shmangte rrezikun e infektimit të bashkëshortes.
Sipas deklarimeve të tij në dokumentet gjyqësore, edhe kur jetonin së bashku, Thomas largohej disa herë në muaj për prova klinike të pretenduara, duke qëndruar larg shtëpisë për tre deri në katër ditë ose net. Ajo i kishte shpjeguar se rregullat e këtyre procedurave nuk lejonin praninë e familjarëve dhe se komunikimi me të mund të bëhej vetëm përmes ekipit mjekësor.
Sipas prokurorëve, mashtrimi dyshohet se ishte organizuar në mënyrë të detajuar. Thomas pretendohet se kishte krijuar një adresë të rreme elektronike, duke e paraqitur atë si adresë të një specialisti të njohur ndërkombëtarisht të trajtimit të kancerit. Përmes kësaj adrese komunikonte me miqtë dhe familjarët, duke përforcuar historinë e saj.
Në një rast, sipas prokurorisë, ajo përdori këtë adresë për të bindur një mike që të kalonte Krishtlindjet në karantinë me të, në vend që t’i festonte me familjen e saj gjatë pandemisë COVID-19.
Një tjetër episod lidhet me motrën e saj, Sabrina, e cila kishte vënë në dyshim diagnozën që në vitin 2020. Kjo solli një përçarje familjare dhe motra u shkëput nga pjesa tjetër e familjes.
Në atë kohë, Hannan kishte dalë në mbrojtje të bashkëshortes. Madje, sipas investigimit të podcastit The LexiCON, ai kishte dërguar një e-mail ku pretendonte se kishte komunikuar me mjekët e saj dhe kishte konfirmuar vërtetësinë e diagnozës.
Por hetimi pretendon se e-maili ishte shkruar nga vetë Thomas, duke përdorur llogarinë e bashkëshortit të saj. Ndërkohë, ajo organizonte aktivitete, mbledhje fondesh dhe shiste produkte promocionale, duke pretenduar se të ardhurat do të shkonin për trajtimin e saj mjekësor.
Dyshimet e Gavin Hannan nisën në gusht të vitit 2025, pas gati gjashtë vitesh martesë, kur ai filloi të besonte se diagnoza e kancerit mund të ishte e sajuar. Sipas kërkesës së tij gjyqësore, Hannan zbuloi se mjekët e përmendur nga bashkëshortja nuk kishin asnjë të dhënë që ajo të kishte qenë ndonjëherë paciente e tyre.
Ai pretendoi gjithashtu se konferencat ku Thomas thoshte se kishte marrë pjesë si folëse ose nuk ekzistonin, ose nuk kishin asnjë regjistrim të pranisë së saj. Edhe fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, të cilat paraqisnin përjetimet e saj gjatë sëmundjes, dyshohet se ishin marrë nga interneti, u përkisnin pacientëve të tjerë dhe ishin modifikuar.
Madje, sipas pretendimeve të bashkëshortit, Thomas kishte redaktuar edhe fotografi që përdorte për mbledhjen e donacioneve, përfshirë një imazh ku shfaqej pa flokë në platformën GoFundMe. Në tetor të vitit 2026, Hannan paraqiti kërkesën për anulimin e martesës.
Pas zbulimit të dyshimeve, platforma e mbledhjes së fondeve GoFundMe reagoi duke deklaruar se nuk toleron keqpërdorimin e shërbimit të saj dhe shfrytëzimin e bujarisë së donatorëve.
Në një deklaratë për revistën People, kompania theksoi:
“GoFundMe nuk toleron aspak keqpërdorimin e platformës sonë dhe shfrytëzimin e bujarisë së donatorëve.”
Kompania shtoi se do të bashkëpunojë me autoritetet gjatë hetimeve ndaj personave të dyshuar për shkelje. Alexandra Thomas është lënë e lirë kundrejt një garancie prej 10 mijë dollarësh. Deri në publikimin e raportimit, ajo nuk kishte paraqitur ende deklarimin e saj të fajësisë ose pafajësisë për dy akuzat me të cilat përballet.
Top Channel