“E meritojmë”, Kurti në Bruksel kërkon statusin e vendit kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, para nisjes së samitit në Bruksel, ku do të takohen udhëheqësit e BE-së me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk e ka marrë këtë status, ndonëse aplikimin për anëtarësim në BE e ka dorëzuar para gati katër vjetësh.
Ai ka theksuar se Kosova nuk po kërkon privilegj apo favor, por njohjen e përparimit të saj në demokraci, zhvillim ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
“Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Ne thjesht po kërkojmë që të vlerësohet dhe të njihet përparimi i Kosovës në aspektin e avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive qytetare”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se çështja e statusit kandidat është bërë urgjente dhe se pret që Këshilli Evropian, në takimin e 14 dhe 15 dhjetorit, t’i kërkojë Komisionit Evropian të japë një opinion për Kosovën.
Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike, duke bërë të ditur se në gjysmën e parë të vitit 2026 ajo ka arritur në 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Ai ka kërkuar gjithashtu zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave dhe mundësimin e lëvizjes së studentëve dhe profesionistëve në rajon.
Duke folur për sigurinë dhe sundimin e ligjit, Kurti ka kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si organizatorin kryesor të sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023.















