Me ngjyrat kuq e zi e një atmosferë bashkimi edhe një herë Prishtina u kthye në mikpritëse të festave të nëntorit.
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi pritjen tradicionale të Festës së Flamurit dhe ditë së çlirimit. Ambasadori Petrit Malaj në fjalën e tij pritëse tha se 28 nëntori përfaqëson një nga momentet themelore të historisë kombëtare shqiptare.
“Janë pjesë e kujtesës tonë kolektive, dëshmi e qëndresës, sakrificës, qëndresës dhe vullnetit të një populli për të jetuar i lirë, me dinjitet dhe me të drejtën për të përcaktuar vetë të ardhmen e tij”, tha Petrit Malaj-Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Malaj cilësoi Prishtinën si vendin më kuptimplotë për të kremtuar këtë ditë, duke vënë në pah historinë e idealet e përbashkëta të shqiptarëve.
“Dhe nuk besoj se ka një vend kuptimplotë për të kremtuar këtë ditë jashtë Shqipërisë, sesa Prishtina, kryeqyteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur. Një vend ku historia shqiptare nuk kujtohet vetëm në libra, por është e pranishme në kujtesën e familjeve, në institucionet e shtetit, në kulturë dhe në përditshmërinë e qytetarëve të saj”, u shpreh Petrit Malaj-Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Në këtë pritje, mesazhet për historinë, sakrificën dhe të ardhmen e përbashkët përcollën përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë.
“Flamuri nën të cilën u bashkuan ideali dhe sakrifica për lirinë e Kosovës. Prandaj, 28 nëntori është festë e katërfishtë për ne. Dita e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dita e daljes së parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Justina Shiroka Pula-Presidente e Kosovës.
“Republika e Kosovës është e më vete por jo e mos varur ndaj kombit shqiptar. Prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore e strategjike për kombin tonë mbarë por njëkohësisht edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore”, tha Albin Kurti-kryeministër i Kosovës.
Një dolli e përbashkët e përfaqësuesve të dy shteteve shqiptare si simbolikë e identitetit kombëtar zuri vend në pritjen që përveçse si ceremoni diplomatike shërbeu edhe për të festuar sakrificën e punën për liri. Shqipëria më 28 nëntor shënon ditën e pavarësisë, derisa Kosova kujton qëndresën për lirinë.
Top Channel