Pep Guardiola vlerësoi ndikimin e ndërsjellë që Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo patën në karrierën e njëri-tjetrit, duke thënë se rivaliteti mes tyre i shtyu të dy drejt niveleve të jashtëzakonshme.
Trajneri spanjoll e përjetoi nga afër garën mes dy yjeve kur drejtonte Barcelonën. Ai foli për këtë çështje në emisionin “Romario TV”, gjatë një interviste me legjendën braziliane Romario.
Të lidhura
None found
I pyetur për Ronaldon, Guardiola e përshkroi portugezin si një lojtar me etje të jashtëzakonshme për fitore dhe për të dëshmuar vlerat e tij.
“Është një tjetër kafshë konkurruese, dikush që nuk interesohet për asgjë tjetër përveçse të fitojë dhe të dëshmojë veten. Është golashënues, me këmbën e djathtë, të majtën dhe me kokë. I jashtëzakonshëm, vërtet i jashtëzakonshëm”.
Guardiola u përball shpesh me Ronaldon, kur ky i fundit luante për Real Madridin. Në atë periudhë, gara mes portugezit dhe Messit u kthye në një nga temat më të mëdha të futbollit botëror.
Sipas trajnerit, prania e një rivali kaq të fortë e nxiti secilin prej tyre të vazhdonte të përmirësohej dhe të ruante nivelin e lartë.
“Besoj se të dy e kanë ndihmuar shumë njëri-tjetrin për ta ruajtur atë nivel. Nëse Messi nuk do ta kishte pasur Cristianon dhe Cristiano nuk do ta kishte pasur Messin, ndoshta do të kishin pasur sezone paksa më të dobëta”.
Ai theksoi se Messi dhe Ronaldo ndiqnin vazhdimisht arritjet e njëri-tjetrit, gjë që i nxiste të kërkonin më shumë.
“E kishin njëri-tjetrin vazhdimisht në vëmendje, duke parë se çfarë po bënte tjetri. Kjo i bënte të mendonin: Dua të jem më i mirë se ai, dua të fitoj më shumë se ai. Kjo u dha shtysën për ta bërë hapin tjetër. Kjo është ajo që përfaqëson sporti”, përfundoi Guardiola.






