Një nënë përpiqet të kalojë vajzën e saj të vogël poshtë telave me gjemba në kufirin e SHBA-së. Vogëlushja, vetëm dy vjeçe, duhet të zvarritet përmes një hapësire të ngushtë, ndërsa të rriturit i japin udhëzime dhe përpiqen ta ndihmojnë të kalojë pa u lënduar.
“Eja, zemra ime, eja!”, dëgjohet t’i thonë, ndërsa një copë kartoni përdoret për ta mbrojtur nga telat e rrezikshëm. Për disa çaste, çdo lëvizje duket e vështirë. Vogëlushes i ngec edhe dora, por të rriturit nuk reshtin së nxituari që ajo të dalë në anën tjetër.
Pamjet janë të rënda për t’u parë, sidomos kur mendon se bëhet fjalë për një fëmijë që në vend të sigurisë dhe qetësisë së fëmijërisë, përballet me një pengesë të rrezikshme në kufi. Në fund, vogëlushja arrin të kalojë dhe merret nga personat që e presin në anën tjetër.