Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Bomba e SHBA, kemi prova për korrupsionin

‘Bomba’ e SHBA për korrupsionin/ Zhulali: SPAK-ut i janë hequr alibitë, duhet të ndjekë paratë deri në fund

17:58, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në Syri TV, ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, komentoi mesazhet e forta të ambasadorit amerikan ndaj SPAK dhe BKH, duke theksuar se tashmë organeve të drejtësisë u është hequr çdo alibi për mosveprimin ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zhulali u shpreh se SHBA kërkon hetime të plota, nga mbledhja e provave deri te gjurmimi i parave, pa lejuar copëzimin e dosjeve dhe shmangien e përgjegjësive.

Ao u shpreh se mosveprimi i SPAK dhe BKH i bën edhe këto institucione bashkëpërgjegjëse për kostot që korrupsioni po i shkakton vendit, ndërsa paralajmëroi se klima e rëndë e biznesit dhe lidhjet mes pushtetit dhe krimit po largojnë investitorët amerikanë nga Shqipëria.

Duke iu referuar raportit të BE-së, Zhulali evidentoi edhe shifrat e ulëta të konfiskimit të pasurive, me vetëm 100 mijë euro në çështjet e korrupsionit dhe 1.2 milionë euro në ato të krimit të organizuar.

Ajo nënvizoi se mesazhi i ambasadorit amerikan është tashmë publik dhe i drejtpërdrejtë: drejtësia duhet të veprojë dhe të ndjekë paratë deri në fund.

Pjesë nga intervista:

Po, tre gjëra do të theksoja unë. E para që ambasadori vjen me një aktivitet të fokusuar siç e kishim paralajmëruar tek çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, të gjithë ata që thanë që ai vjen për t'u pensionuar në Shqipëri edhe nuk do të merret seriozisht me çfarë ndodh këtu, ishin gabim. Kjo është vizita e tretë që ai zhvillon në ambientet e SPAK-ut dhe me përfaqësues të organeve të drejtësisë. Dhe mesazhi është i drejtpërdrejtë: ruajtja e fokusit për goditjen ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është e para. E dyta është, jam shumë dakord me atë që u tha aty dhe mendoj që kjo ishte edhe si të thuash mesazhi kryesor, heqja e çdo alibie ndaj organeve të drejtësisë për mosveprim në kohë dhe me sukses.

Po të shikojmë, ai pak a shumë prek të gjithë zinxhirin që do duhet të ndjekin organet e drejtësisë, duke filluar me hetimin, me kërkimin e provave, për kohën kur ato do duhet të bëhen dhe të mos digjen kënde si ato lotet e Belinda Ballukut, që një çështje të mos copëtohet në lote të drejtësisë, por të ndiqet nga fillimi deri në fund dhe veçanërisht duke ndjekur paratë, siç thotë ai. Përndryshe, marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës dhe interesi amerikan për investime në Shqipëri është i njollosur dhe është bërë pis dhe si e tillë nuk do të ketë asnjë lloj investimi amerikan këtu.

Në fakt, për nivelin e investimeve dhe mënyrën sesi shihet Shqipëria deri tani, ka folur vetë edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, ka folur edhe vetë Departamenti i Shtetit përmes raportit për klimën e biznesit në Shqipëri, ku paraqet një situatë shumë të vështirë dhe që jo vetëm që nuk inkurajon bërjen e biznesit, por përkundrazi, e pasqyron vendin si një vend ku është e pamundur të bësh biznes nëse je një biznesmen i mirëfilltë, që ke interesa të pastra financiare dhe nëse ti nuk ke, për shembull, lidhje me qeverinë drejtpërdrejt apo me rrjetet e krimit të organizuar, ti e ke të pamundur qoftë për të hyrë në treg, qoftë për të mbijetuar në këtë treg. Kështu që, jo më kot ambasadori i ka lidhur këto së bashku për të thënë që në rast se SPAK-u nuk vepron, do të jetë po ashtu bashkëpërgjegjës sa edhe aktorët e tjerë të përfshirë, përfshirë qeverinë këtu, për kostot.

Por përveç kostos që është shumë e qartë, ai në njëfarë mënyre ka bërë bashkëpërgjegjës për këtë kosto edhe organet e drejtësisë edhe SPAK-un konkretisht apo edhe BKH-në. Pra u ka vënë atyre, si të thuash, u ka ngritur topin e përgjegjësisë që ata tani nuk mund të justifikohen dhe të krijojnë alibi me forma dhe mënyra të ndryshme siç e kemi parë deri tani, duke i zhvendosur dosjet nga një aspekt në tjetrin dhe duke hapur më shumë xhepa të vegjël që nuk kanë sjellë asnjë pasojë serioze sesa duke i shkuar çështjeve në zemër. Dhe faktet që ka nxjerrë raporti i BE-së e tregojnë këtë, ku ka vetëm 100 mijë euro të konfiskuara për çështjet e korrupsionit dhe niveli i konfiskimeve për asetet e krimit të organizuar ka rënë në mënyrë të ndjeshme në 1.2 milionë euro. Kështu që besoj se mesazhi i tij është shumë i qartë, por të paktën tani e kemi në mënyrë, si të thuash, të drejtpërdrejtë edhe për vetë organet e drejtësisë, pra nuk ka mënyra për ta interpretuar.

Por është ajo çfarë ai ka thënë atje tashmë duhet të jetë e qartë edhe për publikun, pra kjo është shumë e rëndësishme, që nuk është thjesht një takim me dyer të mbyllura që ai ka dhënë disa porosi apo do të bëjë ndërhyrje të caktuara. Ai atë mesazh që ka dhënë atje e bën të qartë edhe për publikun që ky është qëndrimi i ambasadorit amerikan në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco