EMRAT/ Grabitën rezidencën e Princit William dhe Kate në Angli, publikohen fotot e dy shqiptarëve të akuzuar, çfarë vodhën dhe si u kapën në pyll

25/11/2026 18:07

Dy shtetas shqiptarë janë paraqitur të mërkurën në gjykatë në Britaninë e Madhe, të akuzuar për hyrje të paligjshme në rezidencën e fshatit të Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton, nga ku pretendohet se janë vjedhur gjashtë palë mansheta dhe një orë.

Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç, dolën përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku u përballën me akuza për grabitje dhe hyrje pa autorizim në një zonë të mbrojtur, shkruajnë mediat e huaja. 

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën në Anmer Hall, rezidenca që ndodhet në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, në lindje të Anglisë. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit dhe një person i tretë, i cili ende nuk është arrestuar, aktivizuan sensorët e lëvizjes jashtë rezidencës pak para orës 18:00.

Prokurori John Cooper deklaroi në gjykatë se të dyshuarit kishin përdorur një tub kullimi për t’u ngjitur në ndërtesë dhe për të hyrë në dhomën e zhveshjes së rezidencës. Prej aty, ata dyshohet se morën një orë dhe gjashtë palë mansheta, mes të cilave edhe një palë që gjyqtari Matthew Bone i përshkroi si mansheta të Dukës së Edinburgut.

Arilen Ndoci

Pas vjedhjes, të dyshuarit tentuan të largoheshin nga prona, por u zbuluan falë ndihmës së një punonjësi të pasurisë mbretërore Sandringham. Sipas prokurorit, punonjësi po kryente patrullimin në zonë dhe përdorte një pajisje termike për të identifikuar lëvizjet në errësirë.

Dy shqiptarët u gjetën në një zonë pyjore pranë rezidencës, rreth orës 19:15 të së hënës. Në momentin e kapjes, ata nuk kishin këpucë në këmbë. Pas arrestimit, Doku dhe Ndoci u mbajtën në paraburgim.

Seanca e radhës është shtyrë për javën e ardhshme, në mënyrë që prokuroria të marrë autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm britanik lidhur me akuzën e hyrjes pa leje në një zonë të mbrojtur. Asnjëri prej të pandehurve nuk u pyet të deklarohej fajtor ose i pafajshëm gjatë seancës së së mërkurës.

Anmer Hall është një rezidencë me 10 dhoma gjumi, të cilën Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II ua dhuroi Princit William dhe Kate në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre. Çifti mbretëror e përdor pronën për pushime dhe qëndrime të shkurtra larg angazhimeve zyrtare. Në momentin e ngjarjes së pretenduar, rezidenca nuk kishte asnjë banor brenda.

Një zëdhënës i Princit William ka deklaruar më herët se familja mbretërore nuk komenton çështje që lidhen me sigurinë.

Top Channel