Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Bashkimit Evropian të ndërmarrë një hap të ri politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke propozuar që të gjitha vendet kandidate të ulen në të njëjtën tryezë, ndërsa secili të vijojë të vlerësohet sipas meritave të veta.
Në Bruksel, në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Rama tha se një sinjal i tillë do të kishte rëndësi si për opinionin publik në vendet kandidate, ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar.
“Bashkimi Evropian duhet të gjejë kurajën për të ndërmarrë një hap shumë të guximshëm përpara, duke i ulur të gjitha vendet kandidate rreth së njëjtës tryezë, pa ndryshuar procesin e bazuar në merita për secilin vend, por duke dhënë një sinjal shumë të fortë, nga njëra anë, për opinionet tona publike dhe, nga ana tjetër, për mbarë botën”, deklaroi kryeministri.
I pyetur për propozimin gjerman të paraqitur në Samitin e Tiranës, Rama tha se ai është pjesë e diskutimit, por sipas tij, nevojitet një kuadër më i gjerë, ku Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë së bashku në të njëjtën tryezë.
Sa i përket ecurisë së negociatave, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria po punon me Komisionin Evropian sipas planifikimit, por theksoi se procesi varet edhe nga miratimet e institucionit evropian.
“Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me Komisionin Evropian dhe le të shohim si do të dalin llogaritë. Por, me sa jam në dijeni, jemi në rrugën e duhur dhe sipas planifikimit”, tha Rama.
Ai shtoi se për disa çështje Shqipëria është ende në pritje të miratimit të teksteve të përgatitura nga pala shqiptare prej Komisionit Evropian.
Gjatë konferencës me gazetarët, Rama u pyet edhe për hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, dhe nëse këto raste përbëjnë një test për luftën kundër korrupsionit në kuadër të integrimit evropian.
Kryeministri e cilësoi luftën kundër korrupsionit në Shqipëri si të paprecedentë në rajon dhe argumentoi se hetimet ndaj zyrtarëve janë dëshmi se askush nuk qëndron mbi ligjin.
“Lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon. Dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz”, u shpreh ai.
Rama shtoi se vendi ka kaluar, sipas tij, nga një sistem ku korrupsioni perceptohej si i rrënjosur dhe pandëshkueshmëria si normë, në një situatë ku institucionet po e luftojnë atë.
“Është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se çdo rast duhet t’i nënshtrohet procesit të rregullt ligjor.
Në fund, i pyetur për njoftimet e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me tregtinë, Rama tha se nuk kishte dijeni për to dhe u kthye te kërkesa për një treg të përbashkët evropian, të cilin e cilësoi si synimin e vendeve të rajonit.


