Marina franceze sekuestron 3.3 tonë metamfetaminë në një anije-cisternë

Marina franceze ka sekuestruar më shumë se 3.3 tonë metamfetaminë në një cisternë që lundronte pa flamur në Oqeanin Paqësor. Operacioni u zhvillua pas disa javësh vëzhgimi dhe u mbështet nga mjete ajrore franceze dhe amerikane.
Anija u ndalua të premten, më 20 nëntor. Operacioni u koordinua nga qendrat e informacionit detar në Polinezinë Franceze dhe Kaledoninë e Re, në bashkëpunim me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Një grup ushtarakësh francezë, të nisur nga një fregatë e marinës, hipën në bord dhe morën kontrollin e cisternës.
Operacioni u mbështet nga helikopteri i fregatës, një avion ushtarak francez Falcon 50 dhe një avion patrullimi detar i Rojës Bregdetare amerikane.
Sipas autoriteteve franceze, sekuestrimi erdhi pas një operacioni të gjatë mbikëqyrjeje, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi origjinën e ngarkesës së drogës dhe destinacionin e saj.




