Programe akademike të standardeve ndërkombëtare, formim profesional në përputhje me kërkesat e punëdhënësve dhe mundësi për t’u integruar në tregun e punës që në ditën e parë pas diplomimit. Këto janë disa nga objektivat e programeve të London School of Economics and Political Science (LSE), të ofruara për studentët e Universitetit “Luarasi”.

Dr. James Abdey, zëvendësdrejtor akademik i Programeve Globale dhe profesor i asociuar në Departamentin e Statistikës pranë LSE-së, ka folur për rëndësinë e sjelljes së këtyre programeve në Shqipëri dhe mundësitë që u krijohen studentëve shqiptarë për të marrë një arsimim të nivelit ndërkombëtar.

“Më janë dashur disa vite për të sjellë programet në Shqipëri, por është kënaqësi të sjellësh programe të klasit botëror. Kjo i bën studentët të mendojnë globalisht. Duam të minimizojmë barrierat. Një nga misionet tona është të edukojmë në nivel global”, u shpreh Abdey.

Profesori i LSE-së theksoi se një nga prioritetet kryesore është përgatitja e studentëve për tregun e punës, duke ndërthurur njohuritë akademike me zhvillimin e aftësive praktike dhe të komunikimit.

“Studentët dalin në jetën reale, ndaj duhet të punojmë për të zhvilluar aftësitë e tyre për punë. Komunikimi është një pikë e rëndësishme. Çfarëdo programi që të ndjekin, është e mundur të nisin punë që nga dita e parë pas diplomimit”, deklaroi ai.

Abdey shpjegoi se programet janë hartuar duke marrë në konsideratë zhvillimet bashkëkohore dhe nevojat e tregut të punës, në mënyrë që studentët të zotërojnë kompetencat që kërkohen nga punëdhënësit.

“Kur hartuam kurset tona, u përpoqëm që ato të jenë moderne, bashkëkohore dhe të përmbushin interesat dhe kërkesat e punëdhënësve”, theksoi profesori.

Një tjetër avantazh i këtyre programeve është ndërthurja e disiplinave akademike, veçanërisht gjatë vitit të parë të studimeve, përpara se studentët të orientohen drejt specializimeve të tyre.

“Nëse studentët ndjekin një program në analitikë, financë apo ekonomi, ata marrin një kombinim të kurseve, sidomos në vitin e parë, përpara se të nisin specializimet”, shpjegoi Abdey.

Përmes këtyre programeve, studentët e Universitetit “Luarasi” kanë mundësinë të përfitojnë nga një model arsimor me standarde globale, duke u përgatitur për një karrierë profesionale si në tregun shqiptar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb