Health & Beauty Lifestyle

2 lëndë ushqyese që ndihmojnë trupin të përthithë më shumë kalcium…

Kalciumi është një mineral thelbësor për shëndetin e kockave dhe dhëmbëve, por edhe për funksionimin e muskujve, nervave dhe enëve të gjakut. Megjithatë, përfitimi i plotë prej tij varet edhe nga mënyra se si organizmi e përthith dhe e përdor këtë mineral. Sipas dietologëve, dy lëndë ushqyese luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces: vitamina D dhe magnezi.

1. Vitamina D, thelbësore për përthithjen e kalciumit

Vitamina D ndihmon zorrët të përthithin kalciumin nga ushqimet dhe ta përdorin atë për forcimin e kockave. Kur organizmi nuk merr mjaftueshëm vitaminë D dhe kalcium, kockat mund të dobësohen dhe rreziku për fraktura mund të rritet. Të rriturit kanë nevojë për rreth 600-800 njësi ndërkombëtare (IU) vitaminë D në ditë.

Burimet më të mira ushqimore përfshijnë:

  • Peshkun, si salmoni, sardelet, toni dhe trofta.
  • Vezët.
  • Kërpudhat.
  • Qumështin dhe drithërat e pasuruara me vitaminë D.

Vitamina D prodhohet gjithashtu nga organizmi përmes ekspozimit në rrezet e diellit. Personat që kanë pak ekspozim në diell, ndjekin një dietë vegane ose kanë probleme me përthithjen e yndyrnave mund të kenë rrezik më të lartë për mungesë të saj.

2. Magnezi, ndihmon trupin të përdorë kalciumin

Magnezi është një tjetër mineral i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Ai ndihmon transportin e kalciumit nëpër membranat qelizore dhe luan rol në aktivizimin e vitaminës D, duke mbështetur përthithjen dhe përdorimin e kalciumit. Nevoja ditore për magnez te të rriturit varion nga 310 deri në 420 miligramë.

Burimet ushqimore përfshijnë:

  • Farat e kungullit dhe chia-s.
  • Bajamet, shqemet dhe kikirikët.
  • Spinaqin dhe brokolin.
  • Fasulet dhe sojën.
  • Orizin integral dhe tërshërën.
  • Banane dhe avokado.

Pse është i rëndësishëm kalciumi?

Kalciumi është minerali më i bollshëm në trup dhe ndihmon në:

  • Ruajtjen e forcës së kockave dhe dhëmbëve.
  • Funksionimin normal të muskujve dhe nervave.
  • Funksionimin e enëve të gjakut.
  • Çlirimin e disa hormoneve.

Shumica e të rriturve kanë nevojë për 1,000-1,200 mg kalcium në ditë. Ai gjendet te qumështi, kosi, djathi, sardelet, salmoni dhe perimet me gjethe jeshile.

Si të përthithni më mirë kalciumin?

Përveç marrjes së mjaftueshme të vitaminës D dhe magnezit, ekspertët rekomandojnë disa zakone:

Ndajeni marrjen e suplementeve të kalciumit në doza më të vogla gjatë ditës. Organizmi e përthith më mirë në sasi prej 500-600 mg për dozë. Suplementet e kalciumit karbonat konsumojini gjatë vakteve. Shmangni marrjen e tyre njëkohësisht me kafeinë. Nëse keni aciditet të ulët në stomak, citrati i kalciumit mund të përthithet më mirë.manezi