Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, njëherazi deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka prezantuar në selinë blu një analizë të ekspertëve të ekonomisë së PD-së mbi zhvlerësimin e euros dhe pasojat e tij në ekonominë shqiptare, në tryezën me temë “Narko-Euro: pasojat për xhepat e shqiptarëve”, në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Bozdo deklaroi se rënia e euros nga rreth 1400 lekë në vitin 2013 në më pak se 890 lekë sot nuk mund të shpjegohet vetëm me pretendimet zyrtare për forcimin e ekonomisë, turizmin dhe rritjen e produktivitetit.
Duke iu referuar një analize të mbështetur në mbi 60 dokumente dhe 26 seri kohore të të dhënave ekonomike, Bozdo ngriti pikëpyetje mbi faktorët realë që kanë shkaktuar këtë zhvlerësim, duke vënë në fokus ndërtimin, flukset financiare dhe përgjegjësinë e institucioneve mbikëqyrëse.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se shpjegimet e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë nuk justifikojnë as gjysmën e rënies së euros, ndërsa efektet e këtij fenomeni po rëndojnë mbi prodhuesit, fermerët, eksportuesit, emigrantët dhe familjet shqiptare që kanë kursimet në euro.
Eno Bozdo: Faleminderit prezencën tuaj. Pa humbur kohë po kalojmë në prezantimin e materialit punuar nga ekspertë ekonomisë, departamenti i ekonomisë pranë Partisë Demokratike. Tema e sotme apo ajo që duam të prezantojmë sot ka lidhje me elefantin në dhomë që është rënia e euros. Shkaqet, pasojat, përgjegjësia dhe përgjegjësia e mbikëqyrësit. Në vitin 2013, 1 euro kushtonte mesatarisht 1,400 lekë të vjetra, më lejoni të përmend lekët e vjetra për mos krijuar konfuzion për të gjithë ata që na ndjekin. E sot është diçka më shumë se 890 lekë. Dhe kjo është tema e sotme, është tema që i shqetëson të gjithë: prodhues, konsumatorë. Pas këtyre dy numrave janë prodhuesit tanë, fermerët, eksportuesit, emigrantët që dërgojnë para në shtëpi, familjet që kursejnë në euro dhe vetë buxheti i shtetit. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë përpiqet ta mbushë mendjen për të na thënë që e gjitha kjo, forcimi i ndjeshëm i monedhës vendase, vjen nga fundamentet e një ekonomie të fortë. Por ne nuk mendojmë kështu. Dhe për t'i vajtur kësaj të vërtete deri në fund, kemi detyrimin ndaj atyre që na ndjekin, edhe ndaj vetes tonë, për të bërë një analizë mirëfilltë ekonomike dhe matematike. Kush janë faktorët që kanë ndikuar në uljen e euros dhe si mundet edhe a mund t'i kuantifikojmë ata.
Slajdi tjetër të lutem. Këto janë shifrat e rënies së euros siç e shikoni. Në vitin 2013, 1,400 lekë, tani diçka më pak se 890 lekë. Siç e shikoni zbret pa ndërprerje dhe veçanërisht pas vitit 2022 rënia u përshpejtua. Kjo nuk është një lëvizje e zakonshme. Në studimin e Eurostat-it, leku qëndron veçan nga 36 monedhat e tjera, e cila ka fituar më shumë ndaj euros se çdo monedhë tjetër e krahasueshme. Asnjë monedhë tjetër në Evropë nuk krahasohet me fuqinë sot të monedhës shqiptare. Dhe kur një monedhë sillet kaq ndryshe nga të tjerat, atëherë pyetja me të drejtë është çfarë ekzaktësisht qëndron mbrapa këtij forcimi jo vetëm të pazakontë, por rast mbase unik në botë. Slajdi tjetër.
Mesazhet kryesore të këtij prezantimi ne i kemi ndarë, janë pesë. E para, euro u gremis më shumë se çdo monedhë tjetër kundrejt monedhave të vendeve përkatëse. I dyti, shpjegimi zyrtar në rastin më të mirë nuk mjafton. Produktiviteti justifikon vetëm një pjesë të vogël, shumë të vogël me fraksione të rënies së euros. Ndërsa turizmi, të paktën me statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, na del që është katër deri pesë herë më i shtrenjtë se edhe vendet e tjera që kanë çmime dy e tre herë më të shtrenjta se Shqipëria. Por për këtë do t'i kthehemi analizës matematikore, do t'i kthehemi në slajdet. Faktorët zyrtarë në rastin më të mirë dhe me vetë shifrat e Bankës së Shqipërisë, shpjegojnë më pak se gjysmën e rënies së euros. Për të bërë një analizë ne i kemi qëndruar strikt të dhënave që na vijnë nga INSTAT-i, nga Banka e Shqipërisë, të dhënave që marrim nga Eurostat-i dhe të gjithë serive kohore të shumë indikatorëve të cilët do t'i shohim më pas. Pra, jemi mbajtur strikt të dhënave që na vijnë përgjithësisht nga autoritetet vendase, pavarësisht faktit të dyshimeve të forta të cilat mund të kemi mbi këto të dhëna. Por analizën duhet ta bazojmë në këto të dhëna përgjithësisht.
Slajdi tjetër të lutem. Për këtë kemi lexuar mbi 60 dokumente dhe kemi matur mbi 26 seri kohore. Janë 37 raporte dhe studime të Bankës së Shqipërisë, janë ligje, akte nënligjore, deklarata zyrtare të guvernatorit, dokumente ndërkombëtare (tetë dokumente ndërkombëtare: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata Botërore e Punës) dhe 26 seri kohore të dhënash zyrtare. Çfarë përfaqësojnë këto seri kohore? Janë hyrjet e të huajve, netot e akomodimit, lejet e ndërtimit, prodhimi i brendshëm bruto dhe vlera e shtuar sipas sektorëve, punësimi sipas sektorëve, produktiviteti sipas Bankës Botërore, Eurostat-it, ILO-s, inflacioni, Shqipëria në Eurozonë, monedhat e tjera ndaj euros, turizmi dhe krahasimi kundrejt vendeve të rajonit (dhe këtu kemi marrë Greqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi), nivelet e çmimeve, censusi i vitit 2023, popullata dhe banesat dhe indeksi i prodhimit industrial sipas Eurostat-it. Slajdi tjetër të lutem.
Ajo që vëmë re menjëherë, kemi një ping-pong deklaratash të këtyre viteve midis qeverisë edhe Bankës së Shqipërisë. Po ta shikoni, forcimi i lekut përfaqëson një fenomen strukturor, deklaron Banka e Shqipërisë, ndërsa kryeministri thotë e vërteta është se nuk ka rënë euro po është forcuar leku. Më tutje thotë qeveria nuk ndërhyn dot (kryeministri) në kursin e këmbimit, është banka që bën politikat monetare. Ndërsa Banka e Shqipërisë thotë që ne paratë e pista nuk i masim dot si bankë, nuk na rezulton që pastrohen paratë në sistemin bankar, nuk është detyrë kjo e bankës qendrore, kursin e këmbimit e bën tregu, nuk e bën Banka e Shqipërisë, e tjerë e tjerë. Pyetja shtrohet jo vetëm për ne që jemi në politikë, por mbi të gjitha ata që janë aktorë dhe faktorë në ekonomi, janë çfarë po ndodh? Dhe a mund të ndalojë dot rënia, gremisja e euros, se po dëmton të gjithë? Ndërsa përgjigjet që vijnë nga të dy anët, nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, është një ping-pong midis njëri-tjetrit për të thënë kush e ka përgjegjësinë dhe çfarë duhet të bëjë secili. Slajdi tjetër të lutem.
Si i kemi testuar këto hipoteza? Kemi bërë pesë teste të ndryshme. Kursi kundrejt ndërtimit, remitancave, turistëve, llogaria korente, deficiti tregtar, investimet e huaja, produktiviteti, turizmi në neto me çmime me fqinjët. Dhe kemi bërë, për të kuptuar çfarë ekzaktësisht po ndodh me euron, dy analiza statistikore. Një analizë që quhet analizë korrelacioni, për të kuptuar cilat dukuri shoqërohen me dukurinë tjetër, dhe një analizë që quhet analizë regresioni për të kuptuar sa lëviz kursi me 1 miliard euro dhe më shumë. Të dyja, kombinimi i dy analizave për një fenomen të caktuar na jep një ndikim dhe prirje të qartë, të mos pothuajse siguri absolute se për çfarë dukurie jemi duke folur. Slajdi tjetër.
Futemi në thelbin e analizës. I shikoni grafikët që janë në tabelë. Grafiku i parë tregon rënien e euros, grafiku i dytë tregon lejet e ndërtimit të matura në milionë metra katrorë, grafiku i tretë tregon hyrjet e të huajve apo atë që ndryshe qeveria e quan turizëm. Dhe çfarë na thotë ne analiza e korrelacionit dhe analiza e regresit matematik? Që në vitet përkatëse lidhja me lejet e ndërtimit është minus, koeficienti është minus 0.97. Minus 0.97 domethënë që euro dhe lejet e ndërtimit lëvizin në drejtime të kundërta. Me pak fjalë, sa më shumë metra katrorë ndërtim ka, aq më shumë bie euro. 0.97 është shumë afër shifrës një. Një nuk kemi më të bëjmë me analizë korrelacioni, por kemi të bëjmë me funksionalitet të plotë. Ndërsa analiza e regresit e nxjerr koeficientin 1 të mijtë. Çka do të thotë që kjo të jetë rastësi, probabiliteti është vetëm një në një mijë. Analiza e dytë që kemi bërë me remitancat, remitancat nuk i kemi vënë këtu për arsye vendi, është që koeficienti R është 0.86, çka do të thotë edhe ky shumë afër njëshit. Lidhje gjithashtu shumë e fortë. Por kuptoni që ndërsa Banka Botërore mat remitancat, mat çdo të ardhur që hyn atje dhe nuk ndan dot remitancat e ligjshme apo kanale të tjera parash që futen në Shqipëri. Me ndikim, me faktor regresi 0.01, pra një të qindtën. Ndërsa për turistët ne nuk kemi lidhje korrelacioni. Koeficienti R është minus 36%, ndërsa P-ja është 43, 0.43. Çka do të thotë që jo vetëm që nuk ka lidhje një dukuri, rënia e euros me turizmin, dhe këto janë prova matematikore, edhe njëherë tjetër, jemi të zhveshur këtu nga politika, flasim në matematikë. Jo vetëm që nuk ka lidhje, por 0.43 është shumë afër probabilitetit normal. Mendoni një monedhë që mund ta hedhim në ajër, 0.5 është mundësia që të bjerë në njërën faqe dhe 0.5 është mundësia që të bjerë në faqen tjetër. Këtu nuk jemi te 0.5 por jemi te 0.43-shi. Dhe prova më e fortë për këtë nuk është gjë tjetër veçse viti i kovidit. Ku në vitin 2020 turistët ranë me minus 60%, ndërsa euro ruajti pothuajse të njëjtin nivel me një rritje shumë të lehtë zero pikë diçka. Slajdi tjetër të lutem.
Por kemi edhe një provë tjetër kur bëhet fjala te numri i turistëve. Shikoni numrin e turistëve, kemi krahasuar dy vite: 2007 dhe vitin 2022. Në vitin 2007 Shqipëria kishte 1.13 milionë turistë, pra 1 milion e 130 mijë turistë. Në vitin 2022, 7.5 milionë turistë. Ndërsa numri i turistëve është rritur pothuajse shtatë herë, euro ka zbritur me vetëm 4%. Dhe këtu besoj jemi në analizë të mirëfilltë të plotë për të thënë që ajo që qeveria dhe Banka e Shqipërisë e përmendin si faktorin kryesor të rënies së euros, të hyrat nga turizmi, ne pothuajse mund t'i, jo pothuajse, ne i përjashtojmë matematikisht nga kjo. Do të kemi edhe argumente të tjerë që kanë lidhje me disa veprime të tjera për turizmin. Slajdi tjetër.
Po çfarë ndodhi me deficitin tregtar? Sepse Shqipëria hyn në një rast të veçantë ku deficiti tregtar praktikisht nga 1.96 miliardë euro në vitin 2013 është më shumë se tre herë, është gati tre herë, është trefishuar në 5.96 miliardë euro. Ndërsa deficiti tregtar trefishohet, euro vazhdon të zbresë. Çka do të thotë që jemi në drejtime komplet kundërta. Si rregull, thellimi i deficitit tregtar në tregtinë e jashtme të një vendi ndaj Eurozonës duhet të çonte patjetër në një forcim të monedhës së Eurozonës, të euros. Nuk mund të ndodhi që të thellohet kaq shumë deficiti tregtar dhe euro të zbresë po me të njëjtin shifër. Dhe nuk flas vetëm për deficitin tregtar, kemi edhe llogarinë korente që mat diçka tjetër dhe ajo shkon në 4.7 miliardë euro. E shikoni? Dhe përsëri euro vazhdon që të zbresë. Slajdi tjetër të lutem.
Një ndër argumentet që kemi dëgjuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë edhe investimet e huaja direkte, të gjithë e kanë dëgjuar apo jo? Investimet e huaja. Po çfarë na rezulton nga investimet e huaja direkte? Na rezulton që 51% e investimeve të huaja direkte të ardhura në këtë kohë nuk janë gjë tjetër, nuk janë të hyra në euro, por janë riinvestime.
© SYRI.net
VIDEO/ ‘Mbreti është lakuriq’, Tela: Spiropali po thotë publikisht atë që shumë në PS e dinin
VIDEO/ Çipa: Vizita e ambasadorit amerikan në SPAK dhe BKH, një prani që ka ende shumë gjëra të pathëna
‘Bomba’ e SHBA për korrupsionin/ Zhulali: SPAK-ut i janë hequr alibitë, duhet të ndjekë paratë deri në fund