Kosova pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri Albin Kurti.
Para nisjes së samitit në Bruksel, ku mblidhen liderët e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kurti u shpreh se procesi është zvarritur prej një kohe të gjatë.
Të lidhura
None found
“Në dhjetor mbushen katër vjet nga aplikimi ynë për anëtarësim në BE… Nuk kërkojmë shpërblime, privilegje apo favore. Kërkojmë që të vlerësohet progresi i Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, tha Kurti.
Ai pret që në mbledhjen e Këshillit Evropian në dhjetor, Komisionit Evropian t’i kërkohet të japë opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bllok.
“Statusi i vendit kandidat ka qenë gjithmonë tejet i rëndësishëm, por tani është kthyer në çështje urgjente. Pothuajse çdo muaj zhvillohen zgjedhje në një shtet tjetër të kontinentit tonë dhe çdo gjë ka peshë. Duhet të përfitojmë nga kjo mundësi për zgjerimin e BE-së dhe për përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht duke i dhënë Republikës së Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritave, sepse padyshim e meritojmë”, u shpreh Kurti.
Samiti i Brukselit shihet si një rast që institucionet e BE-së të ripohuan angazhimin për politikën e dyerve të hapura ndaj vendeve të rajonit, nëse ato përparojnë me reformat e kërkuara për t’u afruar me strukturat evropiane.
Serbia është i vetmi shtet që ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e këtij viti. Diplomatët e BE-së vlerësojnë se ajo “me shumë gjasë” nuk do të mbështesë deklaratën përfundimtare. Dokumenti miratohet nga liderët e vendeve të BE-së, ndërsa shtetet e rajonit ftohen të shprehin pajtimin e tyre.








