Qeveria shqiptare duket se ka zbuluar formulën ideale për zgjidhjen e trafikut: kur zgjerimi i një rruge kushton qindra milionë euro, ndërtohet një tjetër për të mos kaluar nga e para.
Teksa vijojnë investimet për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, qeveria ka planifikuar ndërtimin e një aksi të ri me katër korsi, nga Rinasi në Paskuqan, me një kosto të parashikuar prej 210.5 milionë eurosh.
Rruga e re, me gjatësi 17 kilometra, do të kushtojë rreth 12.4 milionë euro për kilometër dhe synon të shmangë trafikun në Kamëz.
Ndërkohë, projekti i zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës ka një kosto të parashikuar prej 298.86 milionë eurosh.
Vetëm për tri fazat e para të zgjerimit janë lidhur kontrata me vlerë rreth 4.84 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar shpenzime prej rreth 1 miliard lekësh për punimet.
Më 19 nëntor, ARRSH hapi edhe dy tenderë të tjerë për fazat IV dhe V, me vlerë 53.4 milionë euro. Madje, në janar u hap një tender prej 1.4 miliardë lekësh edhe për arredimin dhe rikualifikimin urban të superstradës.
Sepse, përpara se të shmangësh një rrugë, është e rëndësishme që fillimisht ta zgjerosh, ta asfaltosh dhe ta zbukurosh.
Për të dyja projektet, vlera e përgjithshme e parashikuar kalon gjysmë miliardi euro.
Projekti i ri ende nuk e ka të përfunduar studimin e fizibilitetit, por vetëm studimi dhe projektimi pritet të kushtojnë rreth 1.8 milionë euro.
Nëse edhe rruga e re do të mbushet me trafik, shqiptarët mund të shpresojnë në ndërtimin e një rruge të tretë, që do të shmangë rrugën e ndërtuar për të shmangur rrugën e parë.
Deri atëherë, e vetmja gjë që duket se qarkullon pa trafik janë tenderët.