Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor i ka gajasur të gjithë me një deklaratë që nuk e beson as ai vetë si e nxorri nga goja.
I pyetur nga gazetarët nëse hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë një test për Shqipërinë, kryeministri vlerësoi se lufta kundër korrupsionit që po zhvillohet në vend është e paprecedentë në rajon.
Sipas tij, pikërisht këto zhvillime duhet ta bëjnë Shqipërinë një vend kandidat serioz në sytë e Bashkimit Evropian.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe është arsyeja e saktë pse Shqipëria duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte gjithmonë vendi që trajtohej si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe ku korrupsioni ishte kthyer në sistem, sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin”, deklaroi kryeministri.
Ai shkon më tej teksa shprehet se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin, duke harruar se në fakt vetë ai është bërë avokat mbrojtës i socialistëve të korruptuar.
“Korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv”, përfundoi Rama.













