Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha në tryezën ‘Narko-Euro: pasojat për xhepat e shqiptarëve’

Berisha: Narko-eurot, toksina më e rrezikshme... E para që duhet t'u binte zileve të alarmit duhet të ishte BSH

19:24, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi fenomenin e “Narko-euros” si toksinën më të rrezikshme për prodhimin dhe ekonominë shqiptare, duke akuzuar Bankën e Shqipërisë për heshtje dhe dështim në përballjen me zhvlerësimin e monedhës evropiane.

Në tryezën “Narko-Euro: pasojat për xhepat e shqiptarëve”, Berisha deklaroi se institucioni që duhej të kishte ngritur i pari alarmin ishte Banka e Shqipërisë, por sipas tij, me qëndrimin e mbajtur është bërë bashkëpërgjegjës në dramën ekonomike që po kalon vendi.

Berisha solli në vëmendje rënien e prodhimit vendas, goditjen ndaj industrisë fason, tekstileve dhe bujqësisë, duke theksuar se pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por kanë nxitur edhe largimin masiv të shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendeve të punës.

Ai hodhi poshtë argumentin se forcimi i lekut lidhet kryesisht me turizmin, duke iu referuar grafikëve të vetë Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, pavarësisht rritjes disa herë të numrit të turistëve, kursi i euros në vitin 2022 ishte pothuajse në të njëjtat nivele me vitin 2007.

Berisha: Ishim në proces, renditeshim të 8-tët në botë apo në Europë për prodhimin e këpucëve. Kishim një pozicion shumë të mirë në tekstile.

Për të mos thënë prodhimet bujqësore arritën të përballojnë rreth 80-90% të nevojave të vendit dhe eksportet u trefishuan.

Të gjitha këto pësuan një goditje shumë të rëndë, por mbi të gjitha, goditjen më fatale e mori qenia jonë si komb, e mori materia jonë kombëtare.

Largimi masiv i shqiptarëve për shkak të shkatërrimit të vendeve të punës, për shkak të falimentimit të qindra e mijëra bizneseve të eksportit. Dhe ju kujtohet Padrinoja kur deklaronte se ato janë të botës së tretë etj. Ankoheshin ato, ato kishin ardhur në Shqipëri. Dakord, fasonet, por fasonet erdhën u rritën dhe u kthyen në ‘Made in Albania’.

Prodhimi bujqësor u rrit. Arritëm, një popull që kishte ndenjur dekada, orë të tëra për një shishe qumësht në radhë, arriti të eksportojë qumësht.

Pra, problemi është se narko-eurot janë toksina më e rrezikshme për prodhimin dhe ekonominë e vendit. E them këtë se ky zhvlerësim i eurove dhe dollarit, çfarëdo origjine që të kishte, pasojat për Shqipërinë do t'i kishte këto që shohim.

Por, kur kjo ka origjinë drogën, atëherë kjo bën Shqipërinë një vend të rrezikshëm. Një vend të rrezikshëm për rajonin, vend të rrezikshëm për Evropën, sepse këto depozita ilegale miliardëshe në dhoma, kontejnerë, në arka, nën dhe e mbi dhe, janë të gjitha në duart e organizatave kriminale që mund të përdoren për të gjitha qëllimet. Për të gjitha qëllimet.

Ajo që është shumë e rëndë, e papranueshme, është qëndrimi tipik i institucioneve si narko-institucione. Institucionet shtetërore sillen si narko-institucione.

Banka e Shqipërisë nuk është banka që i ka krijuar, jo, por Banka e Shqipërisë me heshtjen e saj kriminale, me dështimin e saj të plotë në politikën monetare, në garantimin e një kursi konstant stabël, bëhet bashkautore në këtë dramë të madhe ekonomike, në këtë krim monstruoz që përkthehet në kullat e drogës dhe korrupsionit.

E para që duhet të jepte, t'u binte zileve të alarmit duhet të ishte banka.

Edhe tani, përfaqësueset e saj në studio televizive në papërgjegjshmëri të plotë fshehin të vërtetën para shqiptarëve.

Turizmi, thonë, përfaqësuesi i saj, një pseudo-bankier, për të mos i thënë edhe më shumë. Turizmi, thotë, ndërkohë kur vetë banka, ky institucion që kurrë nuk do të donim ta akuzonim, është banka që ka prodhuar këtë grafik, në të cilin tregon se kursi i euros në vitin 2007 ishte 1 me 120 lekë.

Ja kursi. Dhe kursi i euros në vitin 2007 kishte 1 milion e 500 mijë turistë.

Dhe kursi i euros në vitin 2022 kur kishte rreth 8 milionë turistë, Banka e Shqipërisë thotë se ky kurs ishte 1 euro me 127 lekë.

Pra, me 6-fishim të turizmit, kursi i euros nuk ndryshoi, mbeti si me 1 milion turistë. Është banka që e thotë, sepse këtë grafikun e kanë bërë punonjës të ndershëm të bankës të cilët bëjnë detyrën, tregojnë të vërtetën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco