Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të ndryshojë mënyrën e trajtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian.
Gjatë mbërritjes në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Mickoski u shpreh se vendet e rajonit kanë pritur prej shumë kohësh përparim konkret drejt anëtarësimit në union.
Ai bëri të ditur se në fokus të diskutimeve do të jenë zgjerimi i BE-së dhe buxheti për vendet kandidate, duke theksuar rëndësinë strategjike që Ballkani Perëndimor ka për Europën.
Mickoski theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë dhe kërkojnë që vendi të trajtohet në bazë të meritës.
“Ne jemi porta e Europës. Ju lutem, mos e nënvlerësoni potencialin e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët tanë janë të frustruar sepse kanë pritur për shumë kohë në oborrin e pasmë. Duam ta meritojmë vendin tonë në tryezë, bazuar në parimin e meritës”, deklaroi kryeministri.
