Udhëtarët që planifikojnë të lëvizin në Itali gjatë muajit dhjetor duhet të përgatiten për ndërprerje të shumta të transportit. Një seri grevash kombëtare dhe lokale do të prekin avionët, trenat, taksitë, autobusët dhe shërbimet e transportit publik, në disa data përgjatë muajit.
Greva e parë është planifikuar më 4 dhjetor, ndërsa protesta të tjera do të zhvillohen më 14, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor.
Më 4 dhjetor do të mbahet një grevë e përgjithshme kombëtare, e shpallur nga disa organizata sindikale, mes tyre Cub, Adl Varese, Sgb, Sbm, Sgc dhe SI-Cobas, me mbështetjen edhe të AL-Cobas, Lmo, Orsa dhe Usb Lavoro Privato.
Ndërprerjet do të prekin disa sektorë të transportit. Në atë ajror, greva do të zgjasë nga mesnata deri në orën 23:59 të 4 dhjetorit. Në transportin hekurudhor, ndërprerja do të nisë në orën 21:00 të 3 dhjetorit dhe do të përfundojë në të njëjtën orë më 4 dhjetor. Në autostrada, greva do të zhvillohet nga ora 22:00 e 3 dhjetorit deri në orën 22:00 të 4 dhjetorit. Transporti publik lokal do të preket sipas orareve dhe modaliteteve të përcaktuara nga autoritetet përkatëse.
Më 14 dhjetor, vëmendja do të përqendrohet te aeroportet e Romës, Fiumicino dhe Ciampino. Punonjësit e kompanisë Aviation Services kanë paralajmëruar grevë 24-orëshe, ndërsa personeli i ADR Security do të ndalet për tetë orë, nga ora 10:00 deri në 18:00.
Në të njëjtën ditë do të ketë ndërprerje edhe në transportin publik lokal në disa zona të provincës së Krotones dhe në Rende. Punonjësit e kompanive Autolinee Romano Regionali, Fratelli Romano dhe Fasa kanë paralajmëruar grevë nga ora 10:59 deri në 14:59.
Më 15 dhjetor do të jetë radha e taksive, me një grevë të parashikuar nga ora 08:00 deri në 22:00. Po atë ditë, punonjësit e kompanisë Enav në aeroportin Guglielmo Marconi të Bolonjës do të zhvillojnë një grevë 24-orëshe. Ndërprerje të transportit publik lokal do të ketë edhe në Casale Monferrato, në provincën e Alessandrias, nga ora 09:00 deri në 11:30.
Edhe 16 dhjetori pritet të sjellë vështirësi për udhëtarët. Në aeroportin e Bolonjës, punonjësit e kompanisë La Lucente, e cila merret me shërbimet e pastrimit, do të protestojnë nga ora 11:00 deri në 15:00.
Në transportin publik lokal janë paralajmëruar greva në disa qytete. Në Lecce, punonjësit e kompanisë FS Sud Est do të ndalen nga ora 08:30 deri në 12:29. Në Napoli, punonjësit e Air Campania kanë shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa në Genova personeli i kompanisë AMT do të ndërpresë punën për katër orë.
Ndërkohë, në sektorin hekurudhor do të protestojnë edhe punonjësit e kompanisë Italo NTV. Greva për personelin operativ dhe ekipet e trenave do të nisë në orën 03:00 të 16 dhjetorit dhe do të zgjasë deri në orën 02:00 të 17 dhjetorit. Për pjesën tjetër të personelit, ndërprerja është parashikuar nga ora 09:01 deri në 16:59 të 16 dhjetorit.
Kalendari i protestave vijon edhe në dy ditët e fundit. Më 17 dhjetor është paralajmëruar grevë në sektorin e shërbimeve të kontraktuara për hekurudhat, ndërsa më 18 dhjetor do të ketë ndërprerje në transportin e mallrave.
Për shkak të këtyre protestave, udhëtarët që kanë planifikuar të udhëtojnë në Itali gjatë dhjetorit këshillohen të kontrollojnë paraprakisht njoftimet e kompanive ajrore, hekurudhore dhe të transportit publik. Shërbimet e garantuara dhe oraret e ndërprerjeve mund të ndryshojnë në varësi të operatorit dhe zonës.


