Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, do të jetë nesër në Tiranë, ku do të zhvillojë një takim në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të diskutimeve do të jetë ecuria aktuale e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat që shoqërojnë këtë proces.
Takimi, me temë “Gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) dhe do të zhvillohet nga ora 14:45 deri në 16:10, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Aktiviteti do të nisë me përshëndetjet e bashkëkryetarëve të KKIE-së, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe të komisioneres Marta Kos.
Më pas, diskutimet do të vijojnë me përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, të cilët do të paraqesin qëndrimet dhe vlerësimet e tyre mbi sfidat e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian. Fjalën përmbyllëse do ta mbajë komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
