Një 17-vjeçar u gjobit me 500 mijë lekë nga Policia, vetëm pse mori pjesë në protestë. Tani gjykata ka vendosur që ai nuk do ta paguajë gjobën, të paktën derisa të mbarojë gjyqi.
Vendimi u mor më 24 nëntor nga Gjykata Administrative e Tiranës. Kjo do të thotë që Policia nuk mund ta marrë këtë shumë nga i riu dhe familja e tij, derisa gjykata të vendosë nëse gjoba ishte e ligjshme apo jo, ndërsa gjyqi për anulimin e gjobës vazhdon.
Avokati Ledio Braho, që përfaqëson të miturin, i tha Citizens.al se në gjykatë ka çuar dy kërkesa, së pari anulimin e gjobës dhe së dyti pezullimin e saj gjatë kohës që zgjat gjyqi. Gjykata pranoi kërkesën e dytë.
“Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment”, tha Braho.
Ai sqaroi se vendimi vlen vetëm për këtë gjobë, por nëse i riu del sërish në protestë, Policia mund t’i vendosë gjoba të reja.
Sipas avokatit, çështja ngre një problem më të madh, a mund të gjobiten të miturit? Braho argumenton se ligji për kundërvajtjet administrative nuk parashikon gjoba për personat nën 18 vjeç, pasi ata nuk kanë ende zotësi të plotë për të vepruar ligjërisht, por ky nuk është rasti i vetëm.
“Sot më është paraqitur një tjetër i mitur, 16 vjeç, ndaj të cilit janë vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh dhe dy gjoba prej 5 mijë lekësh. Rastet janë masive, ndërsa procedurat për kundërshtimin e tyre kërkojnë më shumë kohë, pasi për shkak se të miturit janë nën 18 vjeç, prokura duhet të nënshkruhet edhe nga prindërit”, tha Braho për Citizens.al.
Gjykata Administrative do t’i njoftojë palët për seancën e radhës.
Nga vijnë këto gjoba
Gjobat ndaj të miturve janë pasojë e drejtpërdrejtë e rregullave të reja që qeveria miratoi në mes të protestave.
Më 29 tetor, qeveria shtyu me urgjencë dy akte normative dhe një vendim të Këshillit të Ministrave, me të cilat ndryshoi ligjin “Për tubimet”. Gjobat ndaj protestuesve janë vendosur në bazë të Aktit Normativ nr. 5.
Me rregullat e reja, Policia mund të ndalojë një protestë pranë institucioneve shtetërore, shkollave dhe spitaleve deri në 72 orë, nëse vlerëson se ka rrezik real për dhunë ose dëme të rënda.
Ligji parashikon edhe “zona të mbrojtura”, nga ku Policia mund t’u kërkojë njerëzve të largohen. Kjo prek pikërisht sheshet dhe rrugët pranë institucioneve, aty ku qytetarët zakonisht mblidhen për të protestuar.
Gjobat për protestuesit tani mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë. Të miturit e gjobitur deri tani vijnë nga familje me kushte shumë të vështira ekonomike.
Qeveria krijoi gjithashtu një regjistër të posaçëm për personat e proceduar penalisht për vepra që lidhen me protestat.












