Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka denoncuar sërish pengimin e takimit me kryebashkiakun e Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Fierit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreca ka bërë të ditur se, pavarësisht se ndodhet pranë ambienteve të burgut që prej orës 16:50, nuk është lejuar të takojë klientin e tij.
Avokati akuzon drejtorin e burgut të Fierit për shkelje sistematike të ligjit dhe Kushtetutës, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë. Ai argumenton se legjislacioni në fuqi garanton të drejtën e takimit të avokatit me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa qenë i nevojshëm një autorizim i posaçëm.
Ai ka ironizuar mënyrën se si funksionon institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier, duke deklaruar se ky i fundit duket se është kthyer në një burg privat, ku vendimmarrja e drejtorit prevalon mbi ligjin.
Avokati i Veliajt u ka bërë thirrje Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes dhe Prokurorisë së Fierit që të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate, të cilën e cilëson skandaloze.
Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës:
“Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.
Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.
Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.
Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.
I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë.”
