Një muaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt, në Prishtinë u mbajt një protestë ku u kërkua që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare dhe të rritet mbrojtja e grave si dhe përgjegjësia institucionale. Marshimi i protestuesve nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi te ndëtesa e Qeverisë së Kosovës, ku u paraqitën kërkesa specifike për kriminalizimin e femicidit dhe krijimin e mekanizmave për mbikëqyrjen e rasteve.
Në tubim u theksua nevoja për formimin e një mekanizmi të ngjashëm me atë që njihet ndërkombëtarisht si Femicide Watch, për monitorimin e të gjitha rasteve të vrasjeve të grave. Aktivistja Zana Hoti deklaroi: “Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj ligji duhet të emërtojë atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthy te krejt çka i ka parapri asaj vrasjeje. Kosova duhet të krijojë mekanizmin që në botë njihet si Femicide Watch, kjo i duhet që monitorohen të gjitha rastet e vrasjeve të grave”.
Protestuesit kërkuan gjithashtu financim të qëndrueshëm për shërbimet që trajtojnë rastet e dhunës në familje, zbatim më të rreptë të ligjeve dhe protokolleve për mbrojtjen e viktimave, si dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. Aktivistja Besarta Breznica tha: “Asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbrojtje për shkak të mungesës së financimit, asnjë grua nuk duhet të jetojë me dhunuesin për shkak të mungesës së alternativave, asnjë grua nuk duhet ta paguaj me jetë mosveprimin e institucioneve. Femicidi është urgjencë kombëtare. Parandalimi është detyrim institucional”.
Rasti që nxiti protestën ndodhi më 25 tetor, kur Arlinda Zekaj u vra nga ish-kunati i saj, dhjetë minuta pasi ishte kthyer nga stacioni policor ku kishte raportuar dhunë nga ish-bashkëshorti. Organizatorët e protestës lidhën këtë ngjarje me nevojën për masa parandaluese dhe monitorim efektiv të rasteve. Sipas të dhënave të përmendura gjatë tubimit, këtë vit deri tani në Kosovë janë vrarë tetë gra.

