Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, nuk është lejuar as këtë të mërkurë të hyjë në Burgun e Fierit për t’u takuar me klientin e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreca ka denoncuar pengimin e takimeve me Veliajn, duke e cilësuar situatën si shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës. Ai thekson se e drejta e avokatit për të takuar klientin garantohet nga legjislacioni në fuqi dhe nuk kërkon autorizim të posaçëm.
“Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj”, shkruan Ndreca.
Më tej, avokati i referohet nenit 51 të ligjit nr. 81/2020 dhe neneve 11 e 12 të ligjit për profesionin e avokatit, të cilat, sipas tij, garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal.
Ndreca e ka drejtuar ankesën edhe ndaj drejtuesit të institucionit, të cilin e akuzon për shkelje sistematike të ligjit.
“Burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat”, shprehet ai.
Në përfundim, avokati i ka bërë thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes dhe Prokurorisë së Fierit që të ndërhyjnë për t’i dhënë fund kësaj situate, siç e cilëson ai, skandaloze.
Reagimi i Ndrecës:
Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.
Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.
Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.
Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.
I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë.














