Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi është në pritje të Shteteve të Bashkuara për të caktuar datën e raundit të ardhshëm të negociatave për përfundimin e luftës me Rusinë. Kreu i shtetit ukrainas kërkon që takimi i radhës të zhvillohet në një format katërpalësh, ku krahas Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së të përfshihet edhe Evropa.
Deklaratën Zelensky e bëri përmes një postimi në Facebook, pas takimit në Kiev me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna. Sipas presidentit ukrainas, vendi i tij ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar përfshirjen e plotë të Evropës në procesin e paqes, krahas Shteteve të Bashkuara.
“Ukraina ka bërë shumë për ta përfshirë plotësisht Evropën në procesin e paqes së bashku me Amerikën. Tani jemi në pritje që pala amerikane të caktojë datën për takimin e radhës, i cili duhet të jetë katërpalësh”, deklaroi Zelensky.
Gjatë takimit me diplomatin estonez, kreu i shtetit ukrainas u ndal edhe te sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar se Moska po synon të shkatërrojë normalitetin e jetës së përditshme në Ukrainë.
“E informova atë lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Rusia po investon shumë në përpjekjet e saj për të shkatërruar normalitetin e jetës së përditshme. Kjo është arsyeja pse çdo gjë që forcon qëndrueshmërinë tonë është e rëndësishme”, u shpreh presidenti ukrainas.
Ai bëri të ditur se me Tsahknan diskutoi gjithashtu për ndihmën në sektorin e energjisë dhe përgatitjet për Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e cila do të organizohet në Estoni në fillim të vitit të ardhshëm. Një tjetër temë e diskutimit ishin negociatat dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën në të ardhmen.
Zelensky vuri në dukje se ministri i Jashtëm estonez po vizitonte Kievin për herë të katërt vetëm gjatë këtij viti, duke i shprehur mirënjohjen Estonisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, raundi i fundit i negociatave trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara u zhvillua në Abu Dhabi, më 10 dhe 11 nëntor. Takimi u pasua nga angazhimi për vijimin e bisedimeve dhe një marrëveshje për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të realizuar ndonjëherë, si dhe për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në procesin e ardhshëm negociator.
