Bashkëshortja e aktorit dhe komedianit britanik Russell Brand, Laura, vizitoi për herë të parë tre fëmijët e tyre në burgun HMP Littlehey në Cambridgeshire, ku ai ndodhet që nga 9 nëntori. Sipas “The Mirror”, 39-vjeçarja mbërriti së bashku me tre fëmijët, të moshës 10, 8 dhe 3 vjeç; ajo u fotografua duke mbajtur në krah fëmijën më të vogël, ndërsa dy të tjerët hynë në ambientet e burgut të shoqëruar nga truproja e Brand, Joe McCann, dhe një grua tjetër. Familja arriti rreth orës 13:50 me një automjet Land Rover Defender, u drejtua fillimisht në qendrën e vizitorëve dhe brenda dhjetë minutash hyri në ambiente të burgut.
Kjo ishte hera e parë që Brand takonte fëmijët që prej momentit kur u dërgua në burg. Laura kishte deklaruar vazhdimisht se do të qëndrojë pranë të shoqit, duke u paraqitur si një bashkëshorte besnike pavarësisht dënimit dhe akuzave. Ishte vizita e dytë e saj në burg; javën e kaluar ajo e kishte takuar Brandin për rreth dy orë në takimin e parë mes tyre pas burgosjes.
“The Mirror” raporton se Brand po has vështirësi në integrim me të burgosurit e tjerë dhe nuk është pritur me entuziazëm. Një burim tha se “Ai hyri në Littlehey duke menduar se do të ishte në qendër të vëmendjes, por realiteti nuk mund të ishte më ndryshe.” Sipas të njëjtit burim, “Burgu është gjithmonë një sfidë, por burgu pa asnjë lloj lidhjeje me dikë është dhjetë herë më i vështirë. Ai nuk është pritur si një personazh i famshëm dhe të burgosurit e tjerë nuk kanë asnjë interes të shoqërohen me të.” Raporti shton se Brand ha vetëm dhe kalon pjesën më të madhe të kohës në qelinë e tij, duke lexuar libra dhe dëgjuar radio, duke u përpjekur të përshtatet me jetën pas hekurave, ku fama e dikurshme nuk i sjell privilegje.
Po ashtu, sipas “The Mirror”, Brand ka aplikuar për një vend pune brenda burgut si pastrues; paga është rreth 20 paund në javë dhe do t’i mundësonte të siguronte disa të ardhura personale, përfshirë para për të telefonuar familjen. Brand u dënua pasi u shpall fajtor për përdhunim të një fanse dhe sulme seksuale ndaj tri punonjëseve të televizionit dhe radios për vepra të kryera gjatë periudhës 2004–2009. Ai pritet të vuajë dy të tretat e dënimit prej 10 vitesh përpara se të lirohet me kusht; ndërkohë bashkëshortja Laura vazhdon ta mbështesë dhe të ruajë kontaktet gjatë qëndrimit të tij në burg.
