Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së, domosdoshmëri strategjike për Evropën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri strategjike për Evropën dhe se aktualisht ekziston një momentum real për përparimin e këtij procesi.
Në deklarimin për media pas samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, von der Leyen ka thënë se Mali i Zi është afër përfundimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Shqipëria po përparon me ritëm të konsiderueshëm drejt këtij synimi.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë këtij viti BE-ja synon të hapë dhe të mbyllë më shumë se 100 kapituj negociues në kuadër të procesit të zgjerimit.
“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Evropën dhe sot ky momentum është real. Nëse i shikoni të gjitha negociatat që kemi, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur më shumë se 100 kapituj këtë vit. Ky është një përparim i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar ajo, transmeton Dukagjini.
Von der Leyen ka theksuar se zgjerimi kërkon angazhim nga të dyja palët, si nga vendet që synojnë anëtarësimin, ashtu edhe nga vetë Bashkimi Evropian.
Ajo ka folur edhe për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, duke theksuar se qytetarët duhet të përfitojnë nga ky proces edhe para anëtarësimit të plotë.
Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ajo ka bërë të ditur se zbatimi i reformave ka shënuar përparim, pasi nga 38 për qind e hapave të përmbushur para një viti, kjo shifër tashmë ka arritur në 63 për qind.
Sipas saj, reformat e realizuara mund të mundësojnë lirimin e edhe 338 milionë eurove për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.
“Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë mes vete dhe edhe në këtë drejtim po shohim përparim. Tregtia ndërmjet vendeve të rajonit është rritur ndjeshëm, kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, ndërsa roamingu rajonal ua lehtëson njerëzve komunikimin dhe korridoret e gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal”, ka deklaruar von der Leyen.















