Sali Berisha deklaroi se rënia e vlerës së euros kundrejt lekut po dëmton rëndë ekonominë e vendit, në veçanti prodhimin, eksportet dhe investimet.
Në një tryezë të mbajtur për fenomenin që opozita e quan “narko-euro”, kreu i Partisë Demokratike tha se ndikimi i parave të krimit në ekonomi është më shkatërrues se pasojat e piramidave financiare të viteve ’90.
Të lidhura
None found
Berisha iu referua të dhënave të Eurostatit, sipas të cilave euroja dhe dollari janë zhvlerësuar përkatësisht me 33 dhe 35 për qind ndaj lekut. Ai pretendoi se nivele të tilla nuk janë parë as në vendet kryesore që prodhojnë lëndë narkotike.
“Sot narko-eurot sjellin pasoja dramatike, më shkatërrimtare se piramidat e viteve ’90. Në asnjë prej vendeve kryesore prodhuese të drogës, si Kolumbia e të tjera, euroja nuk është zhvlerësuar në këto nivele. Në Kolumbi është 8%, në Meksikë 12%, ndërsa në vendet e tjera luhatet mes këtyre shifrave. Sipas këtij studimi, në Shqipëri arrin në 33 apo 35%”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së e lidhi forcimin e lekut me rënien e prodhimit industrial dhe tkurrjen e eksporteve. Sipas shifrave që paraqiti, në pesë vitet e fundit prodhimi industrial në Shqipëri është ulur me 15.3%, ndërsa eksportet ranë me 28% nga viti 2022 deri më 2025.
Ai pretendoi se në ekonominë shqiptare po qarkullojnë shuma të mëdha me origjinë kriminale dhe përmendi si shembull paratë e zbuluara në Peqin.
“Rënia e euros vjen nga narko-eurot, nga ato dhoma plot me euro që patë në Peqin. Këtu, në Tiranë, ka qindra të tilla të fshehura në apartamente, si edhe qindra e qindra arka e kontejnerë nëntokë. Kjo rënie e euros është taksë e tmerrshme për eksportin, prodhimin dhe investimet”, tha Berisha.
Sipas tij, zhvlerësimi i monedhës europiane rëndon veçanërisht eksportuesit, pasi pagat, lëndët e para dhe shpenzimet e tjera i paguajnë në lekë, ndërsa të ardhurat i marrin në euro.
“Një investitor që synon të vijë në Shqipëri duhet të përllogarisë taksën 30% nga zhvlerësimi i parave të tij. Edhe çdo eksportues, që i kryen të gjitha shpenzimet në Shqipëri në lekë dhe i merr fitimet në euro, duhet të llogarisë se eurot vlejnë 30% më pak se më parë”, u shpreh kreu i demokratëve.
Berisha paralajmëroi se ndikimi nuk ndalet te humbjet financiare të kompanive eksportuese. Sipas tij, ky zhvlerësim mund të ndryshojë strukturën e ekonomisë, duke dobësuar prodhimin dhe duke penguar industrializimin e vendit.
“Kjo përbën një goditje të madhe për prodhimin dhe eksportet shqiptare, si edhe për vetë strukturën ekonomike. Është një faktor i verbër që godet prodhimin, deindustrializon vendin dhe ndërpret procesin e industrializimit”, përfundoi Berisha.








