SI E EMËROI ALBANA KOÇIU NË KRYE TË AKSIK/ Sa e pastër është figura e Ermal Jaurit për të qënë “mbajtësi” i sekreteve të Sigurisë Kombëtare dhe lidhja me një rrjet kompanish

 Më datë 16 shtator 2026, rreth 2 muaj më parë, pas një “investimi” personal zv Kryeministrja Albana Koçiu emëroi në krye të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar z. Ermal Jauri.
Emërimi i Ermal Jaurit në këtë pozicion k aq delikat, ngre pikëpyetje serioze nëse Ermal Jauri i ka kaluar të gjitha filtrat e kontrollit për të marrë në duar këtë post kaq delikat?

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar është institucioni ku fjala “Certifikatë Sigurie” është kryepuna e këtij institucioni. E përveç kësaj të koordinohet me institucionet e tjera ligjzbatuese.
Pyesim nëse janë kaluar të gjitha filtrat kontrollues ndaj Ermal Jaurit pasi në janar të vitit 2020, ai u denoncua në emisionin investigativ “Stop”, në cilësinë e administratorit të agjencisë së punësimit “Europa Agency”.
Asokohe disa qytetarë denoncuan se agjencia e drejtuar prej tij u kishte marrë mijëra euro për kontrata pune jashtë vendit, kryesisht në Danimarkë dhe Gjermani.
Në një nga rastet e denoncuara në STOP, administratori mbajti të bllokuara plot 5 mijë euro të një qytetari për më shumë se një vit.
Gjatë përballjes në emisionin investigativ, alibitë e tij u rrëzuan kur përfaqësuesja e një agjencie tjetër partnere paraqiti mandatet bankare që provonin kalimin e parave, ndërkohë që vetë Ermal Jauri (sot drejtor i AKSIK) kërkonte të mos ballafaqohej me median dhe qytetarin që e akuzonte.
Një tjetër denoncim i publikuar asokohe në STOP, ishte i një qytetari dhe bashkëshortes së tij, që aplikuan përmes “Europa Agency” për të punuar në bujqësi në Kopenhagen me një pagë prej 1 mijë eurosh në muaj secili.
Pas tre muajsh pune, paratë nuk u kaluan në llogari dhe agjencia u kërkoi të qëndronin edhe 2 muaj të tjerë, periudhë pas së cilës ata morën ekspuls dhe u kthyen në Shqipëri. Në vend që t’i paguante, Jauri i dërgoi sërish për punë në Gjermani, nga ku gjithashtu u kthyen mbrapsht, duke vazhduar kalvarin e mosmarrjes së parave.
Lidhja me kompani të ndryshme
Emri i Ermal Jaurit nuk lidhet vetëm me Europe Agency e denoncuar për mashtrim, por edhe me një kompani tjetër “School of Advanced Learning Albania me Nipt “L92002019V” e cila është themeluar nga Ermal Jauri dhe papritur me një akt dhurimi, Ermal Jauri vendos të heqë dorë dhe të bëjë “sadaka” me kompaninë që vetë themeloi, duke ia dhuruar shtetasit Gerd Fagu i cili edhe ky njësoj si Ermal Jauri vendosi që dhuratën ta dhurojë tek shtetasi Valdrin Rushiti.

Interesante është fakti se edhe përse ish pronar në letra në këtë kompani, adresat dhe të dhënat e deklaruara thonë të kundërtën. Edhe kompania edhe ish kompania e Ermal Jaurit kanë të njëjtën adresë dhe të njëjtin numër telefoni për kontakt. Rastësi?
Ermal Jauri kontrollon dhe pajis me certifikata sigurie, zyrtarët e shtetit shqiptar. Po Ermal Jaurin kush e kontrolloi? Apo mjaftoi “kontrolli” i Albana Koçiut dhe gjithshka ishte OK?
Redaksia e priza.al në këtë artikull nuk kërkon të shprehë asnjë qendrim ndaj Ermal Jaurit personalisht, por ajo që pyesim është se sa transparente dhe ligjore është zgjedhja e Kreut të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, të një personi i cili nuk duket fort i “pastër” për të mbajtur detyrën e “kryepastërtorit” të figurave që na drejtojnë shtetin dhe Sigurinë Kombëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply