Vendosni fjalën kyçe....

Financieri miliarder Todd Boehly arrin marrëveshje për asetet e Lukoil-it


Financieri miliarder Todd Boehly deklaroi se kishte arritur një marrëveshje për blerjen e aseteve ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil, duke i dhënë fund më shumë se një viti pasigurie për fatin e vendburimeve të naftës, rafinerive dhe pikave të karburantit të kompanisë jashtë Rusisë.

Biznesi ndërkombëtar i Lukoil-it, i vlerësuar në bilancet e kompanisë ruse me 22 miliardë dollarë përpara vendosjes së sanksioneve amerikane në tetor 2025, shtrihet në 11 vende dhe aktualisht prodhon rreth 350 mijë fuçi naftë ekuivalente në ditë. Ai përfshin gjithashtu tri rafineri në Evropë dhe më shumë se 2 mijë pika karburanti.

Një konsorcium i drejtuar nga grupi i kompanive Eldridge i Boehly-t deklaroi se do t’i shkëmbente asetet me aksione të Lukoil-it dhe kompanive të tjera ruse, të listuara në bursat ruse dhe të blera nga investitorë perëndimorë. Këto aksione janë të ngrira që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022, shkruan Ft.

“Praktikisht, po shkëmbejmë aksione që për amerikanët nuk kanë asnjë vlerë”, i tha Boehly agjencisë Reuters, e cila raportoi e para lajmin. Eldridge deklaroi se aksionet e Lukoil-it do të mbaheshin në një “llogari kujdestarie të kufizuar për pesë vjet ose deri në heqjen e sanksioneve”.

Transaksioni është subjekt i miratimit nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të SHBA-së. Lukoil ende nuk ka njoftuar për ndonjë marrëveshje dhe nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Departamenti i Thesarit nuk pranoi të komentonte marrëveshjen. Megjithatë, më herët ka bërë të ditur se do të vlerësonte çdo shitje të propozuar të aseteve ndërkombëtare të Lukoil-it “bazuar në faktorët që mbështesin objektivat e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha muajin e kaluar televizionit shtetëror rus se Moska dhe Uashingtoni ishin në kontakt për të ardhmen e aseteve të huaja të Lukoil-it.

Bizneset e Lukoil-it kanë hasur vështirësi në funksionim pas vendosjes së sanksioneve amerikane në tetor 2025. “Pas përfundimit të transaksionit, konsorciumi do t’i japë menjëherë përparësi stabilizimit të operacioneve jetike”, deklaroi Eldridge në një njoftim, duke shtuar se do të punonte për të rikthyer “kapacitetin e plotë të rafinerive në funksion”.

Përveç Eldridge, në konsorcium bëjnë pjesë Korporata e Financave për Zhvillim e qeverisë amerikane, Xtellus Partners, ish-dega amerikane e bankës shtetërore ruse VTB dhe Catena Investment Holding, e përshkruar nga Eldridge si një investitor me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në sektorin e energjisë. Sipas një personi të njohur me marrëveshjen, nuk është bërë i ditur emri i një partneri të pestë.

Megjithatë, Sheikh Tahnoon bin Zayed al-Nahyan, këshilltari për sigurinë kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vëllai i presidentit të vendit, si dhe familja miliardere siriano-katariane Al-Khayyat, u larguan nga konsorciumi gjatë javëve të fundit.

Tregtari i lëndëve të para Centalion, i njohur më parë si Gunvor, ishte bllokuar më herët nga qeveria amerikane për të blerë asetet e Lukoil-it, ndërsa grupi i investimeve private Carlyle u tërhoq nga procesi pasi përpjekjet e tij për të siguruar miratimin e qeverisë amerikane ngecën.

Thomas Glynn Hanley, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se, megjithëse marrëveshja ka të ngjarë të ngjallë skepticizëm si te ligjvënësit demokratë, ashtu edhe te ata republikanë, struktura e transaksionit do ta “bënte më të vështirë ushtrimin e çdo lloj mbikëqyrjeje nga Kongresi”, pasi Korporata e Financave për Zhvillim nuk po kontribuon me para.

Sipas sanksioneve aktuale amerikane, biznesi ndërkombëtar i Lukoil-it është i autorizuar të kryejë mirëmbajtjen dhe aktivitetet për mbylljen graduale të operacioneve deri më 20 shkurt. Blerësit e mundshëm kanë afat deri më 19 dhjetor për të negociuar kushtet e çdo marrëveshjeje.

OFAC ka deklaruar më parë se çdo marrëveshje duhet, të paktën, të ndërpresë plotësisht lidhjet me Lukoil-in, të bllokojë transferimin drejt Rusisë të fondeve që i detyrohen kompanisë dhe të mos i sigurojë asaj përfitime të jashtëzakonshme financiare, “siç do të ndodhte përmes dhënies së një vlere paraprake Lukoil-it, përfshirë shkëmbimin e aseteve ose aksioneve”.

Çdo ndarje e mëvonshme e aseteve do t’i nënshtrohej gjithashtu shqyrtimit nga OFAC.