Lufta në Ukrainë vijon pa shenja të ndërprerjes së luftimeve, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Sulmet me dronë nga pala ukrainase dhe raketat ruse vazhdojnë, ndërsa zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për përhapjen e tensioneve edhe përtej territorit ukrainas.
Polonia po planifikon krijimin e një zone ndalim-fluturimi pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa në frontin e luftimeve, Rusia ka ndërmarrë sulme gjatë natës ndaj disa objekteve tregtare në rajonin e Kievit, duke shkaktuar një viktimë.
Një tjetër zhvillim shqetësues lidhet me centralin bërthamor të Zaporizhzhias. Kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore, Energoatom, njoftoi se centrali ka humbur furnizimin e jashtëm me energji elektrike pas sulmeve ruse.
Ndërkohë, zhvillime të reja janë regjistruar edhe në Libi, pas sulmit të 22 nëntorit ndaj anijeve ruse në portin e Bengazit dhe në ujërat përreth tij, sulm që është marrë përsipër nga Ukraina.
Ushtria libiane ka konfirmuar vdekjen e dy ushtarakëve, të cilët nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra gjatë sulmit. Sipas gazetës libiane Al Wasat, ushtria e gjeneralit Khalifa Haftar është e gatshme të ndërmarrë një kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi.
Zhvillimi ka hapur një tjetër front tensionesh, duke përfshirë edhe qëndrimet e fuqive ndërkombëtare lidhur me ngjarjen.
Franca ka dalë në mbrojtje të veprimit ukrainas, duke argumentuar se Kievi ka ushtruar të drejtën e tij për vetëmbrojtje. Nga ana tjetër, Moska ka mbështetur qëndrimin e Libisë dhe të drejtën e saj për të reaguar pas vdekjes së dy ushtarakëve.
Kështu, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë vazhdojnë, sulmet e reja dhe zhvillimet në Bengazi tregojnë se pasojat e konfliktit po shtrihen edhe në marrëdhëniet mes aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.