Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa fliste për mediat në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Kurti theksoi se Kosova nuk po kërkon privilegje, por njohjen e progresit në demokraci dhe jo vetëm. “Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm vlerësimin dhe njohjen e progresit të Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile. Sa u përket indekseve demokratike, ne jemi ose në vendin e parë ose të dytë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Në fjalën e tij, Kurti kërkoi edhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. “Ajo që na nevojitet në veçanti është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, sidomos i marrëveshjes për mobilitetin, në mënyrë që të mundësohet njohja e diplomave dhe lëvizja e lirë e studentëve dhe profesionistëve, si dhe integrimi i tyre në tregun e punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.