Bota

‘Do të ngas makinën’/ Amerikanët heqin dorë nga udhëtimet me avion për Ditën e Falënderimeve, biletat arrijnë çmime rekord

Çmimet e larta të biletave të avionit dhe një seri defektesh teknologjike në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në SHBA po ndryshojnë planet e udhëtimit të mijëra amerikanëve për festën e Ditës së Falënderimeve.

Sipas një raporti të Reuters, një defekt në ruterin e Administratës Federale të Aviacionit (FAA), më 13 nëntor, ndërpreu komunikimet në qendrat e kontrollit të trafikut ajror, duke shkaktuar një pezullim gati pesëorësh të fluturimeve në të gjithë vendin. Problemi preku më shumë se 18 mijë fluturime dhe rreth një milion pasagjerë.

Vështirësitë nuk përfunduan me kaq. Vetëm pak ditë më vonë, United Airlines u përball me një ndërprerje të gjerë teknologjike, ndërsa sistemi i automatizuar i peshimit dhe balancimit të Delta Air Lines pësoi gjithashtu defekt. Këto probleme shkaktuan vonesa në më shumë se 2 mijë fluturime, duke shtuar pasigurinë për udhëtarët në prag të një prej periudhave më të ngarkuara të vitit.

Përveç problemeve teknike, një tjetër arsye që po i shtyn amerikanët të shmangin udhëtimet ajrore janë çmimet e larta të biletave. Sipas të dhënave të platformës Kayak, dy javë para Ditës së Falënderimeve, një biletë vajtje-ardhje për fluturimet e brendshme kushtonte mesatarisht rreth 469 dollarë, ose 57% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Platforma Hopper ia atribuon një pjesë të rritjes edhe kostove më të larta të karburantit për avionë, të ndikuara nga lufta me Iranin. Sipas saj, çmimet e biletave për Ditën e Falënderimeve dhe Krishtlindjet kanë arritur nivelet më të larta të dekadës.

Një prej udhëtareve që vendosi të ndryshojë planet është Dinez Jackson, 51 vjeçe, e cila nuk mundi të përballonte rreth 1,500 dollarë për të udhëtuar me avion me dy fëmijët e saj nga Raleigh, Karolina e Veriut, drejt Dallasit, Teksas. Kjo shumë ishte më shumë se dyfishi i asaj që kishte paguar për udhëtime të ngjashme në të kaluarën.

Fillimisht ajo priti me shpresën se çmimet do të uleshin, por pas ndërprerjes së fluturimeve më 13 nëntor vendosi të udhëtonte me makinë, pavarësisht se rruga zgjaste rreth 17 orë.

“Kur ndodhi kjo të premten, mendova: Po, do ta rezervoj makinën. Patjetër që do të ngas makinën”, tha ajo, duke shtuar se për ata që do të udhëtojnë me avion parashikon kaos.

Të dhënat tregojnë se edhe numri i pasagjerëve pritet të jetë më i ulët se vitin e kaluar. Linjat ajrore amerikane parashikojnë rreth 29 milionë udhëtarë gjatë periudhës 20-30 nëntor, kundrejt 31 milionëve të parashikuar një vit më parë.

Megjithatë, kompanitë kryesore ajrore po përgatiten për një fluks të konsiderueshëm. United Airlines pret të transportojë më shumë se 6.6 milionë pasagjerë gjatë një periudhe 12-ditore, ndërsa American Airlines parashikon rreth 8 milionë udhëtarë dhe ka planifikuar 4% më shumë fluturime se në vitin 2025.

Sipas kompanisë analitike Cirium, linjat ajrore amerikane po operojnë mesatarisht 2% më shumë fluturime këtë sezon festash, ndërsa kapaciteti i vendeve është rritur me 1%.

Nga ana tjetër, Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) pret të kontrollojë rreth 3% më pak pasagjerë gjatë festës së këtij viti. Agjencia nuk ka kontrolluar asnjëherë më shumë se 3 milionë pasagjerë brenda një dite gjatë vitit 2026, ndryshe nga viti i kaluar, kur kjo shifër u arrit në tetë raste.

Administratori i FAA-së, Brian Bedford, deklaroi javën e kaluar se institucioni ishte pranë identifikimit të shkakut kryesor të defektit në ruter. Ndërkohë, më 17 nëntor, FAA njoftoi se kishte pezulluar instalimin e ruterëve të tjerë.

Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave (AAA), rreth 81.5 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë të paktën 50 milje gjatë festës gjashtëditore të Falënderimeve, një shifër pak më e ulët se 81.6 milionë të regjistruar një vit më parë.

Ndërkohë, transporti tokësor po përfiton nga ndryshimi i preferencave të udhëtarëve. Platforma Wanderu raportoi se ndërprerjet e fluturimeve i sollën kompanisë ditën më të ngarkuar të vitit deri më tani, me rezervimet e autobusëve për të premten 16% më të larta se një vit më parë. Edhe operatori Flix North America regjistroi një rritje prej 17% të rezervimeve.

Kompania hekurudhore Amtrak, nga ana e saj, pret të shënojë një tjetër rekord në vitin 2026, pas 1.2 milionë udhëtimeve të regjistruara gjatë festës së Falënderimeve vitin e kaluar.