Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e ngjarjes ku mbeti i plagosur me thikë 30-vjeçari Anxhelo Brisku, duke zbuluar se konflikti ka ndodhur në rrethana të ndryshme nga ato që kishte deklaruar fillimisht i plagosuri.
Burime bëjnë me dije se gjatë pasdites së sotme është shoqëruar në komisariat autori i dyshuar i plagosjes, një 35-vjeçar me inicialet I.M.
Sipas të dhënave të siguruara gjatë hetimeve, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në fshatin Zvezdë të Maliqit, ku Anxhelo Brisku dyshohet se ka hyrë duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka goditur me sende të forta 35-vjeçarin.
Ky i fundit, gjatë konfliktit, dyshohet se e ka goditur Briskun me një mjet të mprehtë, duke e lënë të plagosur.
Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar se 30-vjeçari ka dhënë një version të rremë për rrethanat dhe vendin e ngjarjes. Fillimisht, Brisku kishte pretenduar se ishte duke ecur në rrugë në fshatin Neviçisht, kur ishte sulmuar nga disa persona.
Pas zbardhjes së dinamikës së konfliktit, policia ka shpallur në kërkim edhe vetë Anxhelo Briskun, për shkak të deklarimeve të rreme lidhur me ngjarjen.
Gjithashtu, në kërkim është shpallur edhe një tjetër 30-vjeçar, i dyshuar për moskallëzim krimi, pasi ka qenë dëshmitar i konfliktit.
Policia po vijon veprimet procedurale ndaj 35-vjeçarit të shoqëruar, ndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
