Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, është përfshirë në një debat të ashpër në Parlamentin izraelit, pas deklaratave fyese dhe ofenduese ndaj deputetëve arabë.

Gjatë diskutimeve për krijimin e një komisioni që do të trajtojë kriminalitetin dhe dhunën në komunitetet arabe në Izrael, ministri përdori epitete denigruese ndaj ligjvënësve, duke i cilësuar ata si “barbarë” dhe “kalorës injorantë të deveve”.

Eliyahu shkoi edhe më tej, duke deklaruar se deputetët arabë duhet të mësojnë dhe duke i akuzuar për shkatërrimin e Kullave Binjake dhe të Evropës, në një referencë ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat shkaktuan reagime të menjëhershme dhe kundërshtime në sallën e Parlamentit, ndërsa ministri nuk pranoi të tërhiqej nga fjalët e tij. Ai u justifikua duke pretenduar se kritikat kishin të bënin me nivelin e edukimit të deputetëve dhe jo me racën apo prejardhjen e tyre.

Amichai Eliyahu është pjesë e partisë së ekstremit të djathtë “Fuqia Hebraike”. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur komuniteti arab në Izrael po ngre vazhdimisht shqetësime për përshkallëzimin e kriminalitetit dhe dhunës, si dhe për mungesën e reagimit të duhur nga autoritetet për garantimin e sigurisë.