Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në qendër të diskutimeve ishin perspektiva evropiane e rajonit, procesi i zgjerimit dhe avancimi i negociatave të anëtarësimit.
Sipas Von der Leyen vendet e Ballkanit Perëndimor kanë realizuar 63% të reformave dhe dhe kjo shifër sjell çlirimin e 338 milionë eurove të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim.
“Në të njëjtën kohë, po përgatisim edhe vetë Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, sepse zgjerimi duhet të jetë një sukses si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që do t’i bashkohen Bashkimit. Por mendoj gjithashtu se nuk duhet të presim anëtarësimin për t’i afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi gjithashtu përparimin në integrimin në sistemin europian të pagesave SEPA dhe negociatat për zgjerimin e nismës “Roaming si në shtëpi”, duke nënvizuar se qytetarët duhet të përfitojnë konkretisht nga procesi europian edhe përpara anëtarësimit.
“Për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi, ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Europian. Dhe tashmë po shohim rezultatet. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s. SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët. Po ashtu, po shënojmë përparim edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’.
Muajin e kaluar nisën negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit. Dhe ne dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin Dhe këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij dhe jam e bindur se së bashku mund ta kthejmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”, tha Von der Leyen.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, rikonfirmoi angazhimin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje qeverive të rajonit të vijojnë reformat dhe të mos humbasin mundësinë për t’u bërë pjesë e unionit.
“Situata sfiduese gjeopolitike nënvizon nevojën për lidhje më të ngushta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmuam perspektivën e anëtarësimit. Mesazhi im është: Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt BE-së. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.













