Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian U21 2027, që do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027. Faza finale përfshin 16 kombëtare dhe do të zhvillohet në tetë stadiume në shtatë qytete. Në Shqipëri janë përzgjedhur Arena Kombëtare dhe Arena e Demave në Tiranë, Elbasan Arena dhe Stadiumi Loro Boriçi në Shkodër. Ndeshjet e tjera do të luhen në stadiumet e Beogradit, Bačka Topolës, Loznicës dhe Leskovacit. Turneu zhvillohet nën sloganin “Momenti ynë për të shkëlqyer” dhe ka format që nis me fazën e grupeve dhe vijon me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen.
Nga të kualifikuarit figuron Anglia, kampione në fuqi pas edicionit 2025, si dhe kombëtare si Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia dhe Holanda. Përveç organizatoreve Shqipëri dhe Serbi, në fazën finale janë kualifikuar Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Polonia. Katër vendet e mbetura u siguruan përmes play-off: Çekia, Finlanda, Greqia dhe Holanda.
Ceremonia e shortit do të zhvillohet në Sava Centar, në Beograd, të premten, më 27 nëntor. Eventi do të prezantohet nga moderatorja shqiptare Arjola Shehu dhe prezantuesi serbo-australian Stefan Popović. Në ceremoninë zyrtare do të jenë të pranishëm ambasadorët e turneut; Shqipërinë do ta përfaqësojë ish-sulmuesi Bekim Balaj, me 48 ndeshje dhe nëntë gola për Kombëtaren. Pjesë e grupit të ambasadorëve janë gjithashtu Gojko Kačar, Ryan Babel dhe Cristian Zaccardo. Ceremonia do të mbyllet me një performancë artistike nga grupi Una Saga Serbica, që do të ndërthurë këngë shqiptare dhe serbe.
Kampionati Evropian U21 njihet si një trampolinë për shumë futbollistë që më pas kanë shënuar karriera të spikatura; në të kanë luajtur Xavi Hernández, Andrea Pirlo, Fabio Cannavaro, Petr Čech, Luís Figo, Carles Puyol, Ruud van Nistelrooy, Frank Lampard dhe Harry Kane. Në historinë e turneut, Italia dhe Spanja kryesojnë me nga pesë tituj, Anglia ka katër, Gjermania tri, ndërsa Holanda dhe Rusia nga dy. UEFA synon që Euro U21 2027 të jetë i aksesueshëm dhe familjar; biletat do të dalin në shitje të premten, më 27 nëntor, në orën 12:00 CET.

