Corriere della Sera: Operacion sekret pranë Libisë, Ukraina godet anijen iraniane në emër të SHBA-së
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bolonjës në Itali, ku një studente 18-vjeçare është gjetur pa shenja jete në apartamentin ku jetonte me një bashkëmoshatare.
E reja, Elisa Turrini, nga Riva del Garda, në rajonin e Trentino-s, dyshohet se ka ndërruar jetë në gjumë, ndoshta si pasojë e një problemi të papritur shëndetësor.
Elisa ishte transferuar prej pak kohësh në Bolonja për të ndjekur studimet në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Alma Mater Studiorum. Ajo do të mbushte 19 vjeç më 24 dhjetor.
Tragjedia u zbulua gjatë natës mes të hënës, 23 nëntor, dhe të martës, 24 nëntor, nga shoqja e saj e apartamentit, e cila e gjeti pa shenja jete. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, për studenten nuk mund të bëhej më asgjë.
Sipas informacioneve paraprake, mbrëmjen para vdekjes, 18-vjeçarja u kishte treguar disa shoqeve se kishte ndier dhimbje të forta në bark. Për këtë arsye, ajo kishte vendosur të shkonte të flinte më herët.
Dyshimet e para janë se e reja mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor gjatë gjumit. Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, e cila, sipas raportimeve, pritet të zhvillohet deri të enjten, më 26 nëntor. Nga të dhënat paraprake nuk rezulton që studentja t’u jetë drejtuar më parë strukturave shëndetësore për të kuptuar shkakun e shqetësimeve të papritura.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Elisës ka shkaktuar trishtim edhe në vendlindjen e saj. E reja kishte përfunduar vetëm pak muaj më parë studimet në gjimnazin Maffei, në Riva del Garda.
Në nderim të kujtimit të saj, shkolla e mesme zhvilloi një minutë heshtje përpara nisjes së mësimit. Ndërkohë, autoritetet italiane presin rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së 18-vjeçares.
Top Channel